DnV: Dalja e qytetarëve në zgjedhje deri në mesditë është 12,2%, votimi me asistencë dukshëm më i vogël krahasuar me zgjedhjet paraprake

Konferenca për media 07.06.2026

Komunikata e dytë për media
Ora 13:00

 

DnV: Dalja e qytetarëve në zgjedhje deri në mesditë është 12,2%, votimi me asistencë dukshëm më i vogël krahasuar me zgjedhjet paraprake

Pjesëmarrja në votime

Që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit në të gjithë vendin po rrjedh në mënyrë të qetë. Deri në orën 12:00, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 12% e qytetarëve (margjina e gabimit +/- 0,4%).

Në komunat me shumicë serbe, në veri të vendit, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 24% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.

Prishtina dhe Ferizaj kanë regjistruar daljen më të madhe deri tani, me 13,2%. Dalja më e vogël është në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës, 9%.

Të drejtë votimi në Kosovë në këto zgjedhje kanë 1,959,962 qytetarë.

Rikujtojmë se dalja e votuesve në periudhën e njejtë kohore në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit ishte 13.7%.

 

Parregullsitë më të shprehura në procesin e votimit

 

Votues në vendovotime të gabuara

Pavarësisht afateve të shkurtra për organizimin e këtyre zgjedhjeve, KQZ ka informuar me kohë votuesit për qendrën e tyre të votimit dhe ka ofruar mundësi për ndryshimin e tyre përmes platformës online ose Komisioneve Komunale Zgjedhore. Megjithatë nga terreni po raportohet se ka mjaft ankesa në këtë drejtim.

Deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat është raportuar në 48% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.

Por ka pasur edhe vendvotime, ku numri i atyre  nuk e kanë gjetur emrin në Listë ka arritur deri në 30. Në këto përmasa, kjo është hasur në 2% të vendvotimeve, Për të evituar vonesa dhe pakënaqësi ftojmë votuesit që para se të nisen për të votuar të verifikojnë edhe njëherë Qendren ku janë caktuar për të votuar përmes linkut https://qv.kqz-ks.org.

 

Votimi me asistencë

Në përpjekje për të administruar më mirë votimin me asistencë, KQZ po obligon të gjithë ata që duan të votojnë me asistencë të prezantojnë paraprakisht një dokument mjekësor ose librezë të lëshuar nga specialist i fushës apo institucioni përkatës. Kjo për të dëshmuar së ata nuk janë në gjendje të votojnë vetë, pa ndihmës.

Zbatimi më strikt i rregullave për votimin me asistencë që ka filluar qysh në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 po rezulton me ulje të theksuar të këtij fenomeni krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore. Raportohet se deri në orën 12:00 më pak se 0,1% e votuesve kanë votuar me asistencë, çka tregon për efektivitet të këtyre masave dhe për kufizim të keqpërdorimeve të mundshme. Ky fenomen është evidentuar në 33% të vendvotimeve edhepse në raste shumë të izoluara.

Rikujtojmë se në zgjedhjet e 28 shkurtit, sipas DnV-së, 1% e të gjithë qytetarëve kanë votuar me asistencë në intervalin e njejtë kohor. Krahasimisht në 9 shkurt kjo përqindje ishte edhe më e lartë, rreth 6%.

Deri në mesditë, komisionerët në shumicën dërmuese të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Për më tepër, në 32% të vendvotimeve, edhepse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumentave mjkësore.

Si trend i përgjitshëm, votimi me asistencë po evidentohet në Libër, por nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në 3% të vendvotimeve, ku deri në 10 raste nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit. Si fenomen i.është më i shprehur në rajonin e Prizrenit, gati dyfish më i lartë se në nivel vendi.

Rikujtojmë se një asistues ka të drejtë të ndihmojë vetëm një votues, ndërsa komisionerët ose vëzhguesit e akredituar e kanë të ndaluar rreptësisht të ofrojnë çfarëdo asistence në votim.

Ka pasur disa raste të izoluara kur më shumë se një votues ka qëndruar prapa kabinës së votimit, dhe atë si fenomen në 9 % të vendvotimeve.

 

Votimi me dokumente të pavlefshme

DnV ka gjetur se në 14% të vendvotimeve ka pasur deri në 4 raste të identifikimit me dokumenta të skaduara, përkundër rregullave që nuk lejojnë votimin me dokumenta me afat të skaduar. Ky fenomen është më i shprehur në rajonin e Prizrenit.

 

Fotografimi i votës

Deri në orën 12:00, është raportuar për 12 raste të fotografimit të votës në gjithsej 10 vendvotime specifike, në rajonet e Prizrenit dhe Gjakovës. Ky trend është përafërsisht I njejtë me zgjedhjet e 28 dhjetorit. Si fenomen, fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ndërlidhet me cenimin e fshehtësisë së votës apo blerjes së saj, por edhe frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij.

 

 

***

Demokracia në Veprim (DnV) është koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve. Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007. Për  vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 Qershorit, DnV do të bazohet në metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (e njohur si PVT). Kjo metodë e bazuar në parime statistikore mundëson vlerësimin e procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe procesin e numërimit. PVT aplikohet në një mostër përfaqësuese të rastësishme të vendvotimeve, që do të thotë që rezultatet e marra në këtë mënyrë janë të aplikueshme në nivel vendi. Për ditën e zgjedhjeve, DnV ka akredituar 500 vëzhgues statikë të cilët po mbështeten nga 50 ekipe mobile dhe dhjetëra vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve.