KDI publikoi Fletënotimin mjedisor për komunat – në 11 komuna vetëm 27.27% e premtimeve të gjelbra janë përmbushur
Prishtinë, 10 prill 2025 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka lansuar raportin Fletënotimi Mjedisor i Komunave”, i pari i këtij lloji në Kosovë, që analizon programet zgjedhore të 11 komunave dhe klasifikon premtimet e gjelbra. Sipas këtij raporti, deri në dhjetor 2024, në 11 komuna vetëm 27.27% e premtimeve të gjelbra janë përmbushur, duke reflektuar një mungesë të theksuar të llogaridhënies dhe një qasje anemike ndaj qeverisjes së gjelbër.
Drejtori ekzekutiv i KDI/TIK, Ismet Kryeziu, në hapje të konferencës ka vlerësuar se ky raport ka analizuar programet zgjedhore të 11 komunave dhe ka klasifikuar premtimet e gjelbra – ato që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit. “Mos të harrojmë që Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha mjedisore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. Ndotja e ajrit mbetet një nga problemet më serioze, ku vendi vazhdon të përballet me nivele alarmante të ndotjes, të shkaktuara kryesisht nga termocentralet me qymyr dhe ngrohja me dru”, ka thënë Kryeziu.
Gjatë prezantimin të gjetjeve kryesore të raportit, Ardian Muçaj nga KDI ka theksuar se përtej idesë që projektet e gjelbra do të ishin në fokus të qeverisjes lokale, përgjithësisht ato nuk arritën të etablohen si projekte të analizuara mirë, si në kuptim të realizimit teknik, kohor, efektit që do të prodhonin apo në kuptim të fizibilitetit financiar. Sipas tij, shumica e premtimeve të gjelbra më shumë ishin konceptuar si ide dhe si formulime të thjeshta deklarative.
Në panelin e diskutimit fokusuar tek temat “Rruga nga krijimi deri tek shpalosja e ofertave programore, dhe zbatimi i tyre nga komunat” dhe “Impiantet për trajtimin e ujërave të zeza”, kryetarët e komunave të të Rahovecit, Podujevës, Gjakovës dhe Kaçanikut kanë folur rreth angazhimit të tyre në implementimin e politikave të gjelbra, sfidave dhe rezultateve në punë.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se çështja e dhënies së zotimeve publike nuk është çështje e momentit, por e diskutimeve të thella të partisë, diskutimeve të njerëzve me përvojë, takimeve me qytetarë dhe se zotimet duhet të jenë në përputhje me mundësitë. “Fletënotimi mjedisor për komunat është një mundësi për të reflektuar”, ka thënë Latifi.
Kryetari i Podujevës theksoi se ka shumë projekte të gjelbra që janë realizuar nga komuna e Podujevës pro që nuk kanë qenë pjesë e programit zgjedhor. Ai ka përmendur projektet që kanë filluar dhe ato që janë përmbyllur e që lidhen me politikat e gjelbra. “Nuk jemi tërësisht të kënaqur me të gjitha këto që janë bërë, sepse besoj se ky segment ka nevoja shumë më të mëdha dhe kërkon investime më të mëdha”, ka theksuar Bulliqi.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka shprehur pakënaqësi sa i përket dinamikës së zhvillimit të gjithmbarshëm dhe me theks të veçantë në politikat ambientaliste. “Për projekte konkrete është duke shkuar shumë ngadalë. Nuk është shpejtësia e zhvillimit të Kosovës që e kemi pritur”, ka potencuar Gjini.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka vënë theksin te mungesa e mbështetjes financiare nga niveli qendror. “Deri më 28 dhjetor 2024, nuk ka pasur asnjë projekt të vetëm nga Qeveria. Më 28 dhjetor kemi vendosur katër lopata beton për nisjen e një qerdheje”, ka thënë Ilazi.
Monitorimi në secilën komunë është realizuar në bashkëpunim me organizatat lokale partnere: Mundësia në Mitrovicë, POLIS në Lipjan, AvoNet në Ferizaj, Qeliza në Gjakovë, Gjethi në Kaçanik, Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) në Prishtinë, OJQ SHL Kosova në Rahovec, Iniciativa Qytetare Skenderaj (IQS) në Skenderaj, Ekovizioni në Podujevë, OJQ Fortesa në Kamenicë dhe Syri i Vizionit në Pejë.
Raporti i plotë: FLETËNOTIMI MJEDISOR I KOMUNAVE – KDI
###