Vullneti i munguar për të parandaluar metastazën e korrupsionit, një luftë pa fitore

Njoftime 09.12.2024

Autore: Erza Krasniqi

“Korrupsioni ka maska të panumërta.” Frank Herbert Shkrimtar amerikan i trillimeve shkencore 1920–1986

Çështja e korrupsonit të diagnostifikuar në të gjitha nivelet e pushtetit, mbetet një nga njollat më të errëta të vendit. Duke iu referuar statistikave të zeza të gjyqësorit një numër i madh lëndësh ende nuk kanë marrë epilogun e duhur dhe nuk duket qe po shohim drite ne fund te tunelit.

Moszgjidhja e tyre me kohë, po e humbin besimin jo vetëm te investitorë potencial ndërkombëtarë por edhe vendor teksa te qytetarët po krijojnë një pasiguri për të ardhmen e tyre. Reagimet mbesin në korniza të individëve, OJQ-ve apo partive opozitare derisa arrijnë shkallët e e pushtetit. Pavarësisht përmasave të shtrirjes së korrupsionit dhe efekteve zingjirore që kanë, deri më tani zëri reagues i shoqërisë civile ka qenë i mangët dhe jo ndonjë aktiviteti serioz që do të ushtronte presion tek autoritetet kompetente në adresimin e këtij problemi.

Në shkurt të këtij viti, në një raport të UNDP ‘Pulsi publik’ i publikuar më 22 korrik të këtij viti theksohet se Policia e Kosovës (12.40%) është perceptuar si institucioni më pak i korruptuar, e pasuar nga organizatat ndërkombëtare (13.70%), arsimi (13.8%) dhe komunat (15.9%), Agjencia Kosovare e Privatizimit (22.3%. Institucionet më të korruptuara janë perceptuar se janë gjykatat (36.5%), Dogana (35.3%) dhe KEDS-i (22.4%).

Problem në vete paraqet mungesa e institucionit të kontrollit të lartë të shtetit për të mbajtur nën survejim të përhershëm institucionet vartëse të qeverisë. Shqipëria eshte njeri nga vendet e cila bën menaxhimin e parasë se taksapaguesve dhe auditime nëpërmjet KLSH. Nxitja e transparencës se institucioneve shtetërore krijon besim tek gjeneratat e reja te cilat me shprese nuk do ta dëgjojnë fjalën Korrupsion ne përditshmëri.

Se luftimi i kësaj dukurie mbetet në nivel shqetësues theksohet në një raport te publikuar nga Grupi për Studime Juridike pas monitorimit të 458 seancave për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në qytetet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Ferizajt dhe Gjilanit, në të cilën theksohet se dënimet e rasteve me korrupsion janë shumë shpesh të ulëta. GLPS, shpalosi të dhëna nga raporti i monitorimit të gjyqësorit në vend, tha se në Kosovë ka pasur vepra me dëme milionëshe, apo më e larta prej tyre me 38 milionë dëm në buxhetin e shtetit dhe dënimet kanë qenë më poshtë se mesatarja. “Sa i përket dënimeve me burg, 13 persona janë burgosur gjatë aktgjykimeve të publikuara në prill 2023 – prill 2024. Mesatarja e viteve që ju është shqiptuar ka qenë 2.43 vjet. Në anën tjetër 13 persona janë dënuar me gjobë, me një gjobë mesatarisht 4.860 euro”.

Aktualisht si problem mbetet, ligji për realizimin e të drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme i cili ende eshte ne fazën e diskutimit në Kuvend. Sipas raportit të Transparency International për vitin 2023,publikuar ne janar të këtij viti, u konstatua se në Kosovë nuk ka gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor dhe institucionet duhet të punojnë ende në luftim të korrupsionit.

“Më keq akoma, ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në çështjet gjyqësore, pasqyruar me rastin e shkarkimit të kreut të njësisë së posaçme të hetimeve të policisë (rasti z. Shemsi Haziri), si edhe pengesa nga deputetët e shumicës e një hetimi parlamentar për një rast të dyshuar të korrupsionit madhor, lënë të kuptohet se ende nuk ekziston vullneti politik për të mos ushtruar kontroll dhe për të konsoliduar mbikëqyrjen e pavarur”, thuhet në raport. Sipas Transparency International reformat janë kyçe për pavarësinë e sistemit e drejtësisë, si për shembull ngritja e procesit të vettingut dhe miratimi i një ligji të ri që mund të forcojë integritetin në Këshillin e Prokurorisë.
Një alarm për shkallë e korrupsioni e ka ngritur edhe prezenca e misionit të OSBE në Kosovë e cila më 5 qershor prezantoi Raportin “Nga teoria në praktikë: Vlerësim i efektivitetit të reagimit të gjyqësorit ndaj krimit të rëndë të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor” që analizon sistemin e drejtësisë në Kosovë, pjesë e një projekti rajonal të OSBE-së të realizuar me mbështetje financiare të BE-së.

Mungesa e efektivitetit te gjyqësorit, duke u mbështetur në monitorimin e 52 lëndëve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me gjithsej 670 seanca dëgjimore të mbajtura në periudhën korrik 2021 – mars 2024, analiza synon t’i mbështesë institucionet e Kosovës në adresimin e mangësive të identifikuara dhe shqyrtimin gjyqësor të lëndëve të tilla në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato të të drejtave të njeriut. Gjithashtu vlen të theksohet se dështimi i seancave gjyqësore si shkak mungesa e prokurorëve është një mangësi për të luftuar dukurit negative qe përballemi cdo ditë.

Në raport theksohet se ka pasur disa zhvillimeve pozitive si miratimi i Strategjisë për sundimin e ligjit 2021-2026 , miratimi i Planit strategjik 2022-2024 për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe nënshkrimi i “Deklaratës së përbashkët të zotimit” nga palët kryesore të interesit në mars 2023.
Megjithatë në të evidentohen shqetësimet kryesore, përfshirë shkallën e lartë të lirimit nga akuzat, zvarritjet në shqyrtimin e lëndëve si edhe mangësitë në menaxhimin e lëndëve, kryesisht për shkak të vështirësive në zbatimin e Kodit të Procedurës Penale, praktikave gjyqësore jo konsistente, vonesave në marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe problemeve me përkthim. Analiza del me një listë rekomandimesh praktike për akterët e gjyqësorit, që bazohet në një shqyrtim të performancës së tyre në katër fusha kryesore: drejtësia, efikasiteti, kapaciteti dhe mjetet gjyqësore.

Rekomandimet kryesore përfshijnë forcimin e transparencës, ndarjen e më shumë burimeve njerëzore dhe materiale, si edhe përmirësimin e kritereve të vlerësimit të performancës për gjyqtarët dhe prokurorët. Matja e perfomances te gjyqësorit nga OJQ-të konsiderohet si instrument kredibil i cili pasqyron gjendjen reale dhe faktike. Gjetjet e raportit UNCAC te IKD dëshmojnë se edhe pse kishte vullnet politik për të rregulluar infrastrukturën ligjore përmes ligjeve bazë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, institucionet dështuan të japin rezultatet e synuara. Sa i përket raporteve te KPK dhe KGJK janë raporte zyrtare te statistikave te cilat nuk ngërthejnë ne vete analizën e hollësishme.

Organizata Freedom House me seli në Uashington në raportin e fundit në prill të këtij viti “Vendet në tranzicion 2024: Një rajon përballë forcave të autokracisë dhe demokracisë”, theksoi se sundimi i ligjit në Kosovë po pengohet nga ndërhyrja dhe mosfunksionimi i gjyqësorit. Në kapitullin për Kosovën, thuhet se ka shenja për një lëvizje institucionale kundër praktikave korruptive përmes reformave gjyqësore dhe administrative. “Që nga pavarësia, autoritetet kanë treguar pak përkushtim për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe kur zyrtarët e lartë ndiqen penalisht, dënimet janë të rralla. Mandatet e organeve kryesore të Kosovës kundër korrupsionit mbivendosen dhe ato kanë vështirësi në koordinimin e përpjekjeve të tyre.

Mungesa e luftimit të korrupsionit mbetet një sfidë për shoqërinë tone e cila ka një impakt zingjiror në funksionimin demokratik të shoqërisë dhe një mungesë perspektive të moshave të reja qoftë në punësim, arsim, marrjen e shërbimeve adekuate shëndetësore. Kjo ka bërë që numri i madh i specialistëve dhe grup moshave të reja pavarësisht profesioneve të braktisin vendin.

Ky editorial është përgatitur në kuadër të garës që KDI ka realizuar mes të rinjve pjesëmarrës në Akademitë Kundër Korrupsionit, të organizuara në të gjitha rajonet e vendit. Ky editorial është vlerësuar me çmimin e parë në këtë garë, dhe është përgatitur nga autorja Erëza Krasniqi. Qëndrimet dhe vlerësimet në editorial janë autoriale, dhe nuk pasqyrojnë medoemos qëndrimet e KDI-së. Kurse, aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij programi, përkrahen nga Qeveria Suedeze, përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.