HAPET GARA “FOTOGRAFO KORRUPSIONIN 2024”

Njoftime 18.09.2024

KDI këtë vit, të 10-tin me radhë, organizon garën për fotografinë më të mirë që pasqyron korrupsionin në Kosovë. Përgjatë këtyre viteve, qindra qytetarë përmes pjesëmarrjes në këtë garë kanë ndihmuar në ekspozimin e korrupsionit dhe në sensibilizimin e publikut për pasojat e tij.

Ne po ju sfidojmë edhe këtë vit – që përmes fotografisë, t’na tregoni efektet e korrupsionit!

Kap një moment dhe na trego se si korrupsioni po ndikon në jetën tënde, qoftë në lagjen tënde, në shkollë, në vendin e punës, në komunë, në mjedis apo në ndonjë sferë tjetër të përditshmërisë.

Korrupsioni i kamufluar shpesh si nepotizëm, favorizim, ryshfet apo ndikim i paligjshëm arrin të dëmtojë shumë aspekte të jetës sonë, duke përfshirë ekonominë, arsimin, shëndetësinë, ambientin dhe drejtësinë, duke ndikuar negativisht në mirëqenien tonë dhe duke na humbur besimin në institucione.

Duke shkrepur një fotografi që tregon efektet e korrupsionit, ju bëheni qytetarë AKTIVË dhe kërkoni transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet, ndërsa ndërmerrni hapa të rëndësishëm për të sjellë ndryshime pozitive në komunitetet tuaja.

Përveç që do të argëtoheni dhe do të kontribuoni në luftën kundër korrupsionit, duke marrë pjesë në garë ju keni mundësinë të fitoni një nga tre çmimet kryesore në vlerë prej 200, 150 dhe 100 euro.

Gara do të jetë e hapur nga data 18 shtator deri më 30 nëntor 2024 dhe gjithcka që ju duhet të bëni është që të dërgoni 1 deri në 3 fotografi në adresën elektronike [email protected]. Bashkë me fotografinë(të) ju duhet t’na dërgoni të dhënat si emrin, mbiemrin, moshën, komunën dhe numrin e telefonit.

Tre fituesit shpallen më 9 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit! Po atë ditë do të organizohet edhe ekspozita e fotografive.

Kushtet dhe rregullat:

  • Aplikuesit duhet të jenë mbi moshën 18 vjeç.
  • Aplikuesit mund të dërgojnë maksimalisht 3 fotografi.
  • Fotografitë e dërguara duhet të paraqesin ndikimin dhe pasojat e korrupsionit.
  • Fotografitë duhet të bëhen në territorin e Kosovës dhe të jenë të realizuara ekskluzivisht për këtë garë. Çdo fotografi e publikuar para garës apo e realizuar për qëllime të ndonjë gare tjetër eliminohet.
  • Fotografitë e dërguara duhet të kenë rezolucion të lartë Full HD 1920×1080 px.
  • Çdo aplikues/garues duhet të garantojë që fotografia(të) është bërë me miratim të protagonistëve, pasi atyre u është garantuar se nuk do t’u shkelen të drejtat, përfshirë të drejtën e privatësisë, të drejtën e pronësisë intelektuale, të drejtën e kopjimit të paautorizuar apo ndonjë të drejtë të ndonjë personi të tretë;
  • Fituesit e garës duhet të jenë të gatshëm t’a tregojnë storien prapa fotografive të tyre, verbalisht ose në të shkruar.

Klauzola:

  • Me rastin e pjesëmarrjes në këtë garë, garuesi garanton se është autor i fotografisë. Në rast se paraqitet çfarëdo kontesti mbi të drejtën e autorit, KDI nuk merr asnjë përgjegjësi.
  • Nëse në garë konkurrojnë dy a më shumë fotografi që portretizojnë objektin apo subjektin e njëjtë, përzgjidhet ajo që ka vlerë më të lartë artistike.
  • Garuesi në momentin e aplikimit i jep të drejtë Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) që ta përdorë, shpërndajë, shtypë, ta përdorë në raporte, promovim të ndonjë aktiviteti apo rishpërndaj fotografinë, pa pasur nevojë të kërkojë leje nga autori.
  • Çdo kontest që mund të paraqitet në lidhje me këtë garë do të trajtohet në përputhjet me Ligjet e Republikës së Kosovës.
  • Shumat e çmimeve janë subjekt i tatimit në fitim.
  • Të dhënat e pjesëmarrësve të dërguara për qëllim të kësaj gare do të mbrohen në bazë të ligjit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.