Nga diskutimi i KDI-së: Opozita dhe shoqëria civile me kritika për Reformën në Drejtësi. Pas tri viteve qeverisje pak rezultate

Tryeza 13.06.2024
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot Tryezën e diskutimit “Progresi i Reformës në Drejtësi”, meqë rast është publikuar edhe raporti analitik “Reforma në Drejtësi: Arritjet, Sfidat dhe Rruga përpara“.
Ky raport analizon nismat kryesore ligjore për reformën e drejtësisë gjatë qeverisjes Kurti II, si Vetingu në sektorin e drejtësisë, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Raporti vë në pah që pavarësisht propozimit të dhjetëra projektligjeve, zbatimi i këtyre reformave në praktikë ende nuk është realizuar. Raporti po ashtu thekson nevojën për arritjen e konsensusit politik dhe institucional për të avancuar efektivisht reformën në drejtësi. Ndonëse ka pasur përpjekje për arritjen e konsensusit përgjatë tri viteve të vazhdimit të reformave ai ka mbetur vetëm në letër. Gjithashtu, në raport nënvizohet roli i rëndësishëm i shoqërisë civile dhe përfshirjes së qytetarëve në procesin e reformës, duke theksuar nevojën për rritje të informimit qytetar lidhur me iniciativat ligjore në kuadër të Reformës.
Në fjalën hyrëse të Tryezës, ambasadorja holandeze Carin Lobbezoo, duke nënvizuar rëndësinë jetike që ky proces të kuptohet si princip, ajo shprehu se rendi ligjor “luan rol themeltar në shtet ndërtim.” Ndërsa, për nga mënyra Lobbezzo pohoi se “politika gjithëpërfshirëse mbetet standardi kryesor që i duhet vendit për një sukses në përfundimin e kësaj reforme.”
Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj konstatoi që “reforma për drejtësi, përfundoi në një reformim për padrejtësi.“ Sipas Selmanajt, Vetingu është planifikuar për të dështuar, meqenëse “prekja e vetëm krerëve të Gjykatave dhe Prokurorive, e bën këtë formë të Vetingut të mos jap rezultate në praktikë.” Në fund, Selmanaj, përfundoi se “krejt koncepti mbi reformën në Kosovë është deformuar tërësisht, për të mos thënë është shkatërruar.”
Ngjashëm pesimiste mbi rrjedhën e reformës ishte deputetja opozitare, Blerta Deliu. Ajo deklaroi se qasjes së qeverisë në reformën në drejtësi i ka munguar bashkëpunimi, sipas saj “qysh nga dokumenti i parë kemi pasur përjashtim të opozitës, të KPK-së dhe të shoqërisë civile.” Kurse, në vazhdim Deliu-Kodra, përfundoi se “qeveria nuk ka trajtuar seriozisht opinionet e Komisionit të Venecias, ekzekutivi i ka “përdorur në një formë manipulative.”
Reformimin në drejtësi, deputeti i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Besnik Tahiri e vlerësoi si të pakënaqshëm, duke deklaruar se përgjatë tre-vjecarit të parë në qasjen e ekzekutivit është vërejtur “kapja e sistemit të drejtësisë, korruptim të luftës kundër-korrupsion dhe pazotësinë për të qëndruar prapa planifikimeve legjislative.” Më tutje, Tahiri vlerësoi se, “në tendencën për të rritur numrin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial vërehet synimi për të rritur ndikimin mbi këtë institucion”.
Ndërsa anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqi përgjithshëm shprehu qëndrimin e KPK-së kundrejt reformës. Krasniqi deklaroi se “ekziston gatishmëria e KPK-së për pjesëmarrje, në proces ku KPK trajtohet barazisht.”
Ndërsa, aktivisti i shoqërisë civile, Ehat Miftaraj vlerësoj se qasja e ekzekutivit nuk ka qenë bashkëpunuese. Sipas Miftaraj, “nëse kjo qeveri do të merrte parasysh opinionet e shoqërisë civile, cilësia e ligjeve do të ishte më e lartë dhe nuk do të humbnim kohë”. Përfundimisht, në vlerësim të vendimmarrjes së ekzekutivit, ai deklaroi se “në mungesë të konsultimeve gjithëpërfshirëse, ka pasur vendime të gabuara.”
Raportin e plotë të KDI-së e gjeni në https://kdi-kosova.org/…/KDI-Raporti_Reforma-ne…
Ky diskutim u realizua në kuadër të projektit “Zgjerimi i hapësirë qytetare për reformat e ardhshme në drejtësi” i përkrahur nga Embassy of the Netherlands in Kosovo