PËRMBLEDHJE NGA KONFERENCA RAJONALE MBI FINANCIMIN POLITIK

Tryeza 03.12.2023

Dje, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi konferencën “Kuletat Transparente: Avancimi i Financimit Politik” – që shënoi nisjen e kampanjës “Zero Korrupsion”. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga institucione dhe organizata joqeveritare nga Gjermania, Republika Çeke, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, përfaqësues të subjekteve politike parlamentare në Kosovë, organizatave vendore të shoqërisë civile, mediave dhe përfaqësive diplomatike.

Në fjalimet hyrëse të konferencës, Ismet Kryeziu – drejtor ekzekutiv i KDI-së – theksoi që pavarësisht ndryshimeve pozitive në ligjin mbi financimin e subjekteve politike, jashtë rregullimit ligjor kanë mbetur çështja e financimit të subjekteve jo-parlamentare, financimi i kandidatëve, si dhe buxhetimi gjinor brenda partive politike. Po ashtu, Kryeziu ngriti çështjen e donatorëve të subjekteve politike dhe ndikimin e tyre në politikbërjen e partive politike, por duke përfshirë edhe ligjet, rregullat dhe vendimet që mund t’i ndërmarrin ato pasi të jenë në qeveri. Në anën tjetër, Marta Onorato, drejtoreshë për Kosovë e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), theksoi që fatkeqësisht besimi ndaj partive politike në Kosovë është i ulët, që ndikon edhe në nivelet e pjesëmarrjes qytetare në politike. Sipas sondazheve të IRI, 55% të qytetarëve që nuk u besojnë subjekteve politike, që si e dhënë përputhet me daljen e votuesve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 – kur 51.2% e qytetarëve me të drejtë vote nuk kishin marrë fare pjesë në zgjedhje.

Eugen Cakolli nga KDI, prezantoi një punim diskutues lidhur me gjendjen aktuale të transparencës dhe llogaridhënies financiare të subjekteve politike. Cakolli theksoi që edhe më shumë se një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për financimin e subjekteve politike, situata me resurset e institucioneve përgjegjëse për kontroll financiar, konsolidimi i legjislacionit sekondar, por edhe situata me transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, mbetet e njëjtë. Gjithashtu, u theksua nevoja për rregullimin ligjor të çështjes së financimit të kandidatëve, fushatave online dhe fushatave të palëve të treta.

 

PANELI I PARË I DISKUTIMIT

Në panelin e parë të diskutimit morën pjesë përfaqësues të subjekteve politike parlamentare, përfshirën deputeten Eliza Hoxha nga PDK, Armend Zemaj nga LDK, si dhe Besnik Tahiri nga AAK, të cilët ofruan perspektivat e tyre lidhur me transparencën dhe llogaridhënien e financave të partive politike, si dhe ndikimit që financat kanë në zgjedhjen dhe funksionin e tyre si deputetë.

Deputetja Eliza Hoxha, fillimisht theksoi që fushatat e kandidatëve zhvillohen zakonisht me vetëfinancim. Deputetja Hoxha potencoi rëndësinë e ekzistimit të një rregullimi më të qartë ligjor mbi mënyrën e financimit dhe kategorizimin e shpenzimeve, që sipas saj, do të kontribuonte jo vetëm në financim më transparent, por edhe në përfaqësim më përmbajtësor politik në institucione.

Deputeti Armend Zemaj vlerësoi që Kosova ka shënuar progres në raport me financimin e subjekteve politike. Tutje, ai shtoi që duhet që të ketë më shumë fokusim tek financimi i jashtëm, që ndonëse i ndaluar, ka mjaft hapësirë në periudhë të fushatave, parafushatave dhe angazhimit individual të deputetëve. Gjithashtu, ai ngriti shqetësime lidhur me fushatat ‘online’, shpenzimet e të cilave tha se nuk po raportohen drejt, veçanërisht nga partia në pushtet.

Në anën tjetër, deputeti Besnik Tahiri vlerësoi fillimisht që nevojitet që të pritet dhe të testohet në praktikë zbatimi i ligjit për të paktën një proces zgjedhor, e pastaj të shihen mundësitë e plotësim-ndryshimit të tij. Sipas deputetit Tahiri, ndonëse paratë nuk janë plotësisht përcaktuese në zgjedhjen e deputetëve, pa para është e vështirë të zhvillohet fushatë dhe rrjedhimisht edhe të marrësh vota. Gjithashtu, ai kërkoi që të ketë kategorizime mbi shpenzimet që mund t’i kenë partitë politike, qoftë në punësim të stafit, përkrahje të degëve si dhe në projekte të ndryshme.

Deputetët diskutuan edhe lidhur me kufizimet e shpenzimeve gjatë fushatës, fushatën nga palët e treta, shpenzimet për reklamim politik në rrjete sociale dhe të tjera.

 

PANELI I DYTË I DISKUTIMIT

Paneli i dytë i diskutimit – në përbërje të përfaqësuesve të organizatave partnere të Transparency International nga Gjermania, Republika Çeke, Shqipëria dhe Serbia, si dhe nga Drejtori i Zyrës për Kontroll Financiar në Kosovë – diskutuan mbi praktikat ndërkombëtare të monitorimit dhe kontrollit financiar të subjekteve politike.

Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, paraqiti fillimisht rolin dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Zyra në ushtrimin e kontrollit financiar. Buzhala prezantoi disa nga gjetjet kryesore të të auditimit të raporteve vjetore financiare për vitin 2021. Gjetjet tregojnë se në mesin e partive parlamentare, shumica kanë raporte përgjithësisht të pranueshme, me përjashtim të një partie që ka refuzuar të bashkëpunojë me auditorët. Po ashtu, partitë kanë probleme me raportim të degëve, të kontributeve në natyrë ku pothuajse gjysma e partive politike nuk kanë deklaruar asnjë shpenzim.

Praktikat e monitorimit dhe kontrollit financiar në Serbi, u prezantuan nga Miša Bojovi?, hulumtuese në Transparency International – Serbia. Në Serbi u tha se shumica e partive politike varen nga financimi publik, përmes një përqindje të alokimit të mjeteve. Sidoqoftë, ndarja e vonshme e mjeteve për financim të fushatave ka shkaktuar probleme për partitë, sidomos ato të vogla të cilat nuk kanë pasur mundësi që për pjesën më të madhe të fushatës të paguajnë në kohë për shërbime apo produkte të fushatës. Ndonëse financimi i jashtëm është parimisht i ndaluar, në Serbi u tha se lejohet financimi përmes asociacioneve politike ndërkombëtare.

Iliada Korçari, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), theksoi se shteti shqiptar ofron mbi 3 milion euro financim për subjektet politike, pa llogaritur subvencionet – që përbëjnë proporcion të madh të financimit. Ajo shtoi se problem mbetet numri i madh i partive “fantazma” që esencialisht nuk janë pjesë e skenës politike, por qësi të tilla janë mjaft problematike. Njëkohësisht kontrolli i kontributeve në natyrë u tha se mbetet sfidues.

Praktikat në nivel të Republikës së Çekisë, si vend anëtar i BE-së, u prezantuan nga Marek Chromý. Chromý prezantoi si model dhe shembull për t’u ndjekur xhirollogaritë bankare të hapura dhe plotësisht transparente, të qasshme në kohë reale nga publike, të mbi 200 partive politike në Çeki. Kjo formë, u theksua që përveç se mundëson kontroll nga institucionet, garanton mbikëqyrje efektive edhe nga publiku dhe organizatat e shoqërisë civile. Megjithatë, gjobat e ulëta u theksuan si problem edhe në nivel të BE-së.

 

PANELI I TRETË I DISKUTIMIT

“Roli i trupave menaxhuese të zgjedhjeve në rritjen e integritetit politik lidhur me financimin e subjekteve politike” ishte tema e panelit të tretë të diskutimit të konferencës, ku morën pjesë udhëheqësit e komisioneve qendrore të zgjedhjeve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, prezantoi fillimisht kuadrin rregullator mbi financimin e subjekteve politike në Shqipëri. Celibashi theksoi që ligji për partitë politike, rregullon financat e partive politike para fushatës zgjedhore, ndërsa financat gjatë fushatës rregullohen nga Kodi Zgjedhor. Legjislacioni në Shqipëri u tha se parasheh disa burime të financave të partive politike, përfshirë financat nga kuotat e anëtarësisë, fonde publike dhe fonde jo publike. Kurse, KQZ-ja ka krijuar një platformë elektronike të raportimit financiar, që është unike për rajonin dhe më gjerë

Në anën tjetër, përvojat nga Maqedonia e Veriut, u paraqitën nga Ditmire Shehu, nënkryetare e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve atje. Ajo theksoi që me zgjedhje të ndershme vendosen themelet e demokracisë, ndërsa vetëm me zbatim efektiv të procesit zgjedhor mund t’u mundësohet të gjitha palëve qasje të hapur dhe të barabartë në zgjedhje. Burimi kryesor i financimit të subjekteve politike në Maqedoni u tha se është buxheti publik. Madje, Shehu vlerësoi që Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në Ballkan që parasheh reklamimin politik nga fondet e buxhetit të shtetit.

Kreshnik Radoniqi, Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, vlerësoi që ndonëse është miratuar ligji i ri për financimin e subjekteve politike, nuk është konsoliduar kuadri i rregulloreve të brendshme që mundësojnë zbatim efektiv të ligjit. Sa i përket raportimit financiar, u tha se edhe Kosova ka iniciuar procedurat për të pasur një platformë elektronike për raportim financiar. Gjithashtu, u vlerësua që Kosova është duke marrë nga përvojat çeke, vend me të cilin legjislacioni kosovar ngjason shumë.

 

#ZeroKorrupsion

#ProgresiQëNaDuhet