Kuvendi i Kosovës: Në kërkim të deputetëve

Reagime 21.05.2023

Mungesa e kuorumit në seancat e Kuvendit vazhdon të jetë një problematikë që po e pengon përmbushjen e funksionit të këtij institucioni.

Ky problem, tashmë kronik, po e stërngarkon agjendën e Kuvendit, pasi pikat të cilat nuk po arrijnë të miratohen në një seancë po barten në seanca tjera. Për pasojë, jo rrallëherë rendi i ditës së një seance të vetme përmban 30 deri 60 pika për shqyrtim.

Vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti, tri seanca janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa nuk ka pasur kuorum për votim në shtatë seanca. Nga praktika e ndërprerjes së seancave, tash e dy javë Kuvendi ka shkuar një hap tutje duke mos organizuar fare seanca për shkak të mungesës së kuorumit.

Me mungesë të kuorumit janë përballur edhe komisionet parlamentare. Vetëm gjatë sesionit pranveror kanë dështuar pesë mbledhje të komisioneve si shkak i mungesës së kuorumit. Deputetët që kanë munguar kanë qenë nga pozita dhe opozita ndërsa si arsye herë janë dhënë udhëtimet e deputetëve, por shpesh herë arsyet nuk kanë qenë të ditura.

Kur analizohen statistikat e pjesëmarrjes së deputetëve që kur ka filluar sesioni pranveror del se në çdo seancë në listat e nënshkrimeve janë të evidentuar mesatarisht 90 deputetë. Me përjashtim të një seance gjatë muajit prill ku janë evidentuar vetëm 46 deputetë.

Por cilat janë arsyet për mungesën e kuorumit? Ku janë deputetët e Kuvendit?

  • Papërgjegjësia e deputetëve për të marrë marrë pjesë rregullisht në seanca, rrjedhimisht për t’a përmbushur funksionin si të zgjedhur, është faktori primar. Kjo është theksuar edhe nga ana e kryetarit të Kuvendit gjatë seancës së mbajtur me 19 prill. Ai ka deklaruar se “Me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputetëve, kjo legjislaturë mendoj se nuk e meriton të vazhdojë”. Deklarata e lartpërmendur e kryetarit të Kuvendit dëshmon se deputetët të cilët po mungojnë në seanca nuk e kanë njoftuar Kryetarin apo zëvendëskryetarin për arsyet e mungesës së tyre ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Papërgjegjësia dhe joserioziteti i deputetëve është edhe më i rëndë nëse kujtojmë faktin se në këtë legjislaturë, 40% e deputetëve janë zgjedhur për herë të parë.

Se deputetët e kanë obligim pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit e ka interpretuar përfundimisht Gjykata Kushtetuese, në rastin e vlerësimit të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit lidhur me zgjedhjen e Presidentit i datës 22 shkurt 2011. Aty Gjykata ka theksuar se të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për Deputetët, Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes të

marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe të përkrahin procedurat që parashihen

aty, por mbi të gjitha, një obligim vis-a-vis për njerëzit e Kosovës që i zgjodhën ata.[1]

  • Bojkoti politik: Punimet e Kuvendit i ka bojkotuar subjekti politik Lista Serbe që nga viti i kaluar ndërsa deputetët e rinj të kësaj partie gjatë sesionit pranveror kanë ardhur për tu nënshkruar pasi i janë afruar 6 mujorit të mospjesëmarrjes i cili do të rezultonte me humbje të mandatit. Ngjashëm kanë vepruar edhe dy deputetët tjerë të afërm me këtë subjekt politik, Adem Hodza dhe Fadil Gashi që përfaqësojnë grupet tjera minoritare. Përveç këtyre deputetëve nuk ka deputetë të tjerë të cilët mungesën e tyre e kanë për shkak të bojkotit politik. Ndërsa edhe bojkoti politik si arsye nuk është i justifikueshëm nga legjislacioni në fuqi.
  • Subjekti politik në pushtet nuk po arrin që të sigurojë që të paktën deputetët e tij të marrin pjesë rregullisht në punimet e Kuvendit. Natyrisht se barrën kryesore për të siguruar numrat në Kuvend e ka subjekti politik në pushtet, i cili duhet të arrijë të menaxhojë me dallimet brenda partiake në qëndrime, duke siguruar një kohezion politik dhe partiak që reflekton në seanca, natyrisht, pa ndërhyrë  në mandatin e pavarur të deputetëve. Në përgjithësi, kjo sfidë i ka përcjellë e të gjitha subjektet/koalicionet që kanë qenë në pushtet.

Megjithatë, siç u cek më lartë legjislacioni në fuqi dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve nuk i amniston as partitë opozitare për të marrë rregullisht në punimet e Kuvendit.

  • Ndëshkimet e buta ose mosndëshkimet. Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit si dhe Rregullorja e Kuvendit, parasheh që një deputet e humb mandatin vetëm nëse mungon gjashtë (6) muaj rresht në seancat e Kuvendit. Po ky ligj përcakton ndalesë të kompensimit për deputetët që nuk marrin pjesë në seanca apo komisione për shkaqe të paarsyeshme. Tutje aty thuhet që “Deputeti është i detyruar të marrë pjesë në seancat plenare dhe në mbledhjet e organeve ndihmëse të Kuvendit, në të cilat ai është anëtar dhe nëse ai për një aryse nuk mund të marrë pjesë, duhet të njoftojë me kohë kryetarin e Kuvendit dhe të prezantojë arsyet e mungesave. Mëditja për pjesëmarrje në seancë është 200 Euro.

Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit duhet të aplikojnë në mënyrë të rregulltë ndëshkimet sipas legjislacionit n fuqi për deputetët të cilët nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit.

  • Votuesit pasivë – që nuk kanë kërkues ndaj të zgjedhurve të tyre? Përveç që Ligji i obligon deputetët që të marrin pjesë në seanca, edhe qytetarët janë ata të cilët duhet të kërkojnë llogaridhënie nga deputetët të cilët i kanë zgjedhur përmes votës. Dhe për më tepër të cilët në zgjedhjet e ardhshme kanë mundësi që ti ndëshkojnë deputetët të cilët nuk kanë ushtruar si duhet funksionin e tyre.
  • Jotransparenca e Kuvendit në raport me deputetët që mungojnë – Por për ti dhënë mundësinë qytetarëve që të vlerësojnë (mos) punën e deputetëve, Kuvendi duhet të fillojë praktikën e publikimit të emrave të deputetëve të cilët mungojnë në seanca dhe arsyet prapa këtyre mungesave. A janë mungesat e arsyeshme të tilla si mospjesëmarrja në punimet e Kuvendit për shkak të udhëtimeve zyrtare, për shkak të gjendjes shëndetësore apo arsye të tjera të kësaj natyre. Apo janë mungesa të paarsyeshme që janë rezultat i papërgjegjësisë së deputetëve respektiv. Njoftimin për mungesën e deputetëve të caktuar në seanca duhet ta aplikojë edhe kryetari i Kuvendit, duke listuar para fillimit të çdo seance emrat e deputetëve, të cilët kanë njoftuar Kryetarin ose zëvendëskryetarin për arsyet e mungesës së tyre.
  • Mostransparenca e të dhënave se si kanë votuar deputetët – Mungesa e votimit elektronik po e cenon funksionimin transparent por edhe llogaridhënien e Kuvendit. Kështu, vullneti i përfaqësuesve të qytetarëve, i shprehur nëpërmjet votimit individual mbetet i panjohur për qytetarët, meqë Kuvendi nuk po e publikon informatën se si secili deputet ka votuar lidhur me pikat e rendit të ditës, ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Sipas Nenit 61, paragrafi 9 të Rregullores, “Publikimi i votimit me dorë bëhet publike brenda dy (2) ditë pune pas përfundimit të votimit në seancë plenare”, thuhet në komunikatën e KDI-së. Në mënyrë që të rritet transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit dhe e deputetëve individualisht, KDI kërkon nga Kuvendi, që në një afat sa më të shpejtë të mundshëm ta rikthejë votimin elektronik. Në ndërkohë, Kuvendi përveç publikimit të votave kumulative, duhet të bëjë të qasshme për publikun rezultatet e  votimit me dorë për secilin deputet individualisht në seancat e Kuvendit”, thuhet tutje në reagimin e KDI-së.

 

[1] Shih aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese pika 80 dhe 83 në https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/vendimet/gjkk_ko_29_11_shq.pdf