Instituti Demokratik i Kosovës (#KDI) organizoi sot tryezën e diskutimit “Buxhetimi i barabartë gjinor garanton përfshirje e përfaqësim të barabartë të grave në jetën politike” – ku morën pjesë udhëheqëset e forumeve të grave të partive politike parlamentare në Kosovë.
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, theksoi që legjislacioni në Kosovë nuk parasheh ndarje të ndonjë përqindje specifike të buxhetit për gratë. Kryeziu potencoi që mospjesëmarrja e grave në buxhet e vështirëson pjesëmarrjen e grave në jetën politike, duke e bërë pozitën e grave të pabarabartë në raport me burrat, duke nxitur mospjesëmarrje të grave në aktivitetin politik.
Zëvendës-amabsadori i Çekisë në Kosovë, Jurai Melioris, duke falënderuar KDI-në dhe TI-CZ për bashkëpunimin e deritanishëm, vlerësoi që ky bashkëpunim ka rezultuar me ligj më të avancuar për financimin politik në Kosovë.
Albulena Haxhiu, në cilësinë e kryetares së organizatës “Lëvizja për Gratë”, vlerësoi që është detyrim i subjekteve politike, por edhe qeverisë, që të shtyjnë përpara aspektin e buxhetimit të barabartë gjinor, si dhe të mbështeten gratë e vajzat në zgjedhje. Ajo potencoi edhe nevojën për rritjen e kuotës gjinore në 50%, duke garantuar përfaqësim të barabartë të grave në listat zgjedhore.
Eliza Hoxha, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, fillimisht theksoi se në jetën publike, pabarazia fillon tek vet kuota gjinore, që është 30%, e jo 50% sa do të duhej të ishte. Deputetja Hoxha përmendi se partia e saj është aktualisht në përfundim të hartimit të Kodit të Etikës, në kuadër të së cilit do të definohet vizioni për barazi të plotë gjinore në parti. Po ashtu, ajo shtoi se është detyrë e grave politikane të promovojnë modele të mira që të mundësojnë qasje më të lehtë të grave të reja në politikë.
Diellza Kukaj, kryetare e Aleancës së Gruas, u shpreh se mbështetja e fushatave zgjedhore të grave është e pamjaftueshme dhe se subjektet duhet të krijojnë mekanizma dhe një planifikim më të mirë dhe më të drejtë për përfshirjen e grave në jetën politike.
Në fund të tryezës, Ond?ej Cakl, nga Transparency International ?R, prezantoi gjetjet nga përvojat dhe modelet çeke lidhur me domosdoshmërinë e përfshirjes së grave në politikë, me fokus tek buxhetimi gjinor.