sq

Vështrim i KDI-së për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë

Reagime 15.09.2020

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, ditë e cila na ofron mundësi të gjithëve për të reflektuar mbi gjendjen e demokracisë në vendin tonë e gjithandej në botë. Vlerat e lirisë, respektimi i të drejtave të njeriut dhe mbajtja e zgjedhjeve të rregullta e të lira duke garantuar të drejtën universale për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur janë elemente thelbësore të demokracisë.

Që nga shënimi i kësaj dite në vitin e kaluar, Kosova ka përmbyllur një cikël zgjedhor që, sipas raporteve vendore e ndërkombëtare, kishte përmbushur standaret më të larta demokratike, Sidoqoftë, mungesa e konsensusit të brendshëm rreth çështjeve madhore dhe krizat e njëpasnjëshme politike që rrodhën si pasojë e kësaj kanë rezultuar me ndërrimin e qeverive brenda një periudhe të shkurtër kohore. Kjo ka pamundësuar reformat në konsolidimin e demokracisë, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, forcimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit si dhe përmirësimin e imazhit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Rrëzimi i qeverisë në periudhën e pandemisë dhe procedurat e gjata kushtetuese për formimin e qeverisë së re e kishin lënë vendin pa institucione ekzekutive me funksion të plotë në periudhën kur qytetarët kishin më së shumti nevojë për to. Në anën tjetër, Kuvendi nuk arrinte të ushtronte funksionin e tij mbikëqyrës ndaj ekzekutivit në kohën kur (sikurse edhe në mbarë botën) procesi i vendimmarjes ishte përshpejtuar dhe shpeshherë nuk kishte kohë për konsultime paraprake me publikun dhe kur alokoheshin mjete të shumta buxhetore me procedura emergjente. Në anën tjetër, në mungesë të konsensusit politik Kuvendi nuk arriti të adaptojë Regulloren e Punës për t’u përshtatur me situatën e krijuar me pandeminë dhe për pasojë në disa raste u detyrua të reduktojë përkohësisht punën, edhe për shkak të përhapjes së virusit brenda Kuvendit. Me një dinamikë të plogësht të punës në kohë pandemie dhe mungesë të theksuar të konsensusit politik, Kuvendi nuk arriti t’i përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese në raport me procesin ligjvënës, mbikëqyrës ndaj pushtetit ekzekutiv, si dhe të përfaqësimit të interesave të qytetarëve.

Dialogu Kosovë-Serbi si një ndër proceset më të rëndësishme politike ka vazhduar të prodhojë polarizim të tejskajshëm politik duke u bërë shpesh edhe faktor përcaktues ijetëgjatësisë së disa qeverive me rradhë. Mungesa e kohezionit politik dhe atij shoqëror, në sferën e brendshme ndikoi në funksionimin demokratik të institucioneve dhe prodhimit të krizave të vazhdueshme politike. Ndërsa në planin e jashtëm, shpërfaqi politikë të pakoordinuar dhe të paunifikuar shtetërore. Politikat e ngushta partiake jo rrallë herë mbizotëruan diskurset politike ndërsa mungesa e gatishmërisë për të ndërtuar një konsensus të gjerë politik rreth kësaj çështjeje mbetet një sfidë e procesit. Kjo e fundit është vënë re dhe në dinamikat në mes të partive politike pjesë të koalicionit qeverisës të cilat shpesh herë kanë shpërfaqur qëndrime të ndryshme lidhur me procesin e dialogut. Si dhe në kundërshtimet dhe hezitimin e vazhdueshëm të partive opozitare për tu bërë pjesë qoftë të delegacioneve apo dhe për të pasur takime të përbashkëta informuese apo/dhe koordinuese.

Në anën tjetër, mungesa e transparencës në njërën anë dhe e qartësisë rreth procesit të ndërmjetësuar nga BE, atij nga SHBA-të dhe vet statusi i marrëveshjeve tashmë të arritura në mes palëve, krijuan konfuzion dhe paqartësi tek qytetarët. Natyra e mbyllur e këtyre diskutimeve, shpërfaqi mungesën e vullnetit, llogaridhënies dhe dobësive që Kuvendi i ka në raport me ushtrimin e një mbikëqyrje efikase

Sundimi i ligjit – Ndërhyrjet politike vazhdojnë të cenojnë sistemin e drejtësisë në vend e më këtë edhe vet demokracinë. Shkelja e të drejtave të njeriut shpeshherë burimin e ka në vet sektorin e drejtësisë. Gjykime të papërfunduara në kohë, aktakuza pa prova të mjaftueshme dhe parashkrime në shumë lëndë janë vetëm disa nga format e shkeljes së të drejtave të njeriut. Gjendja rreth trajtimit të lëndëve është rënduar edhe më shumë gjatë pandemisë, për shkak të punës me kapacitete të kufizuara të organeve të drejtësisë.

Mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit ka bërë që Kosova të vazhdojë të shënoi rënie në Indeksin Vjetor të Përceptimit të Korrupsionit (CPI).Me 36 pikë, Kosova sivjet kishte humbur edhe një pikë në sistemin e vlerësimit (nga 37 sa kishte më 2018) dhe kishte pësuar rënie nga pozita e 93-të në atë të 101-të. Përkundër faktit se përpjekjet e Qeverisë Kurti për të pastruar bordet e ndërmarrjeve publike nga militantë partiakë dukeshin premtuese, emërimi i anëtarëve të rinj nga partitë e koalicionit qeverisës LVV – LDK në po ato borde pothuajse kthen gjendjen në nivelin e njëjtë.

Kosova si demokracia më e re në Evropë do të mund të krenohej me nivelin e demokracisë së saj nëse instiucionet dhe qytetarët mbesin të vendosur për të kultivuar dhe mbrojtur vlerat e demokratike, ku mirëqenia e qytetarëve garantohet nga një sistem politik që mundëson ambient për një garë zgjedhore të mirëfilltë dhe transparente, ku fitojnë idetë dhe kandidatët më të mirë, ku lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit është i pakompromis dhe ku qytetarët rrisin kërkesat për llogaridhënie dhe pronësinë në vendimmarrje.