sq - en

USAID DHE INSTITUTI DEMOKRATIK I KOSOVËS LANSUAN INDEKSIN E KATËRT VJETOR TË TRANSPARENCËS NË PROKURIMIN PUBLIK  

Tryeza 15.08.2019

Sot, zëvendës udhëheqësja e Misionit të USAID në Kosovë, zonja Zeinah Salahi, së bashku me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) lansuan Indeksin e Transparencës në Prokurimin Publik. Indeksi tregon përparim të konsiderueshëm në transparencën e prokurimit publik në nivel lokal. Përderisa ndryshimet në legjislacionin sekondar kontribuan në rritjen e transparencës në e-Prokurimi, vullneti politik në nivelin lokal shënoi 2018 si vitin kur dokumente të rëndësishme siç janë kontratat, vendimet për ankesat e shkallës së parë, rregulloret për ndarjen e granteve dhe informacionet mbi procesin e vlerësimit për këto grante filluan të publikohen në faqet e internetit të komunave.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, prezantoi gjetjet kryesore të raportit “Edhe pse këtë vit kemi një rritje të transparencës prej 28% kundrejt vitit paraprak megjithatë, mesatarja e performancës në gjashtë shtyllat e matura është vetëm 58%. Komunat duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për rritjen e transparencës në 43 indikatorët”. Në vazhdim, znj. Metushi-Krasniqi shtoi se “Ky indeks na tregon se komunat, krahas rritjes së transparencës, duhet të fokusohen në krijimin dhe zbatimin e mekanizmave llogaridhënëse.”

Ngjarja mblodhi akterët kryesorë nga qeveria e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile. Gjatë kësaj ngjarjeje, zëvendës udhëheqësja e Misionit të USAID në Kosovë, zonja Salahi tha: “Prokurimi transparent është një element kyç në rritjen e përgjegjësisë dhe luftimin e korrupsionit në çdo vend për çdo qeveri. Në Kosovë kjo reformë është shumë e rëndësishme pasi që gjysma e buxhetit të vendit shpenzohet përmes prokurimit publik në nivel kombëtar ose komunal.” Ndërsa sekretarja e përgjithshëm i MAPL-së tha: “Monitorimi i transparencës komunale nga sektori joqeveritar paraqet një shtysë të fortë për institucionet publike që të punojnë në zbatimin e standardeve më të mira të administrimit publik, në të mirë të krijimit të asaj që njihet si qeverisje e hapur dhe transparente, duke ndërtuar mekanizma efikas ligjor që qytetarët të jenë sa më pranë bazës së informacionit”, dhe Arben Kelmendi koordinator i programit të KDI-së, tha “Instituti Demokratik i Kosovës vazhdon traditën e publikimit të Indeksit të filluar qysh në vitin 2014 sepse beson se një qeveri komunale që i bën informatat lehtë të qasshme për publikun, inkurajon një qytetari aktive dhe në anën tjetër mundëson ndërtimin e një procesi vendimmarrës gjithëpërfshirës dhe mirë të informuar”.

Gjatë organizimit, të pranishmëve iu drejtuan edhe kryetarët e dy komunave më të suksesshme. Kryetari i Komunës se Prishtinës, z. Shpend Ahmeti tha se: “Do të publikojmë çdo dokument në mbajtje sipas ligjit brenda 15 ditëve që t’i japim qytetarëve informacionin e plotë. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi gabime, dhe që MAPL dhe OSHP nuk na kanë kthyer vendime. Rruga përpara për Kosovën është transparenca e plotë në çdo vendim. Qeverisja e mirë nuk duhet të jetë në mëshire të politikanëve, por duhet ndërtuar sisteme funksionale.” Ndërsa, ai i Komunës së Vushtrrisë, z. Xhafer Tahiri, shtoi se është “shumë i lumtur që për më pak se 2 vite të udhëheqjes kemi bërë këtë kapërcim komunal. Prioriteti ynë ka qenë që të japim shembull për praktika të mira si komunë. Jemi komuna e parë që kemi aprovuar kodin e etikës si dhe planin e integritetit. Deklarata e kodit të etikës është e nënshkruar nga secili zyrtar dhe gjendet në dosjen e tij/saj. Edhe në ueb faqe edhe në rrjetet sociale i kemi publikuar të gjithë përfituesit e subvencioneve. Ne kemi përfshire edhe shoqërinë civile në qytetin tonë, edhe pse nuk është e nivelit të organizimit sikurse në Prishtinë, e cila po të ishte e atille sa në kryeqendër.”

Indeksi i Transparencës në Prokurimin Publik është zhvilluar nga KDI përmes grantit nga aktiviteti i USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse.

Raportin e plotë mund ta shkarkoni këtu.