sq

Tryezë për të pagjeturit: Institucionet e Kosovës duhet të kenë kontrollin e plotë në proces

Tryeza 27.09.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka mbajtur sot tryezën e diskutimit  “Si duhet të zgjidhet çështja e personave të pagjetur në Kosovë”, pjesë e së cilës ishin përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile që merren me çështjen e të pagjeturve dhe të drejtat e njeriut.

Në hapje të këtij diskutimi Adelina  Hasani nga KDI ka theksuar se që nga përfundimi i luftës në Kosovë çështja e më shumë se 1,600 personave të pagjetur ende nuk është zgjidhur dhe se sfida më e madhe për institucionet dhe shoqërinë e Kosovës edhe 18 vite pas luftës, mbetet zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe po ashtu format e deritanishme të trajtimit të këtij problemi.

Kurse anëtarja e Komisionit parlamentar për personat e pagjetur, deputetja nga radhët e
VV-së Saranda Bogujevci, ka theksuar se sa i përket çështjes së të pagjeturve ka mungesë të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punëve ndërmjet institucioneve si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Sipas saj këto të fundit duhet t’ia bartin kompetencat vendorëve. Pra ka shtuar se institucionet ndërkombëtare duhet të kenë vetëm rol mbështetës për çështjen e të pagjeturve.
Ajo ka potencuar se për të mbetet shqetësuese shuarja e Institutit për hulumtime të krimeve të luftës.  Njëkohësisht ka kërkuar rifunksionalizimin e këtij instituti duke e konsideruar si tejet të rëndësishëm.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, ka pohuar se Qeveria ka bashkëpunim shumë të ngushtë me të gjitha komisionet vendore dhe ndërkombëtare lidhur me këtë çështje.

Përveç familjarëve të të zhdukurve shqiptar ka thënë se kanë kontakte të vazhdueshme edhe me familjarët serb në Kosovë që kanë familjarë të zhdukur.

Ai ka folur edhe për problematikën e numrit të madh të mbetjeve mortorë në morgun e Prishtinës. Sipas tij, një numër i madh i tyre nuk kanë të bëjnë me mbetjet mortore të luftës së fundit dhe se së bashku me Komunën e Prishtinës kanë marrë iniciativë që për mbetjet mortore të cilat nuk i takojnë asaj periudhe të caktohet një lokacion në varrezat e qytetit ku edhe duhet të vendosen.

Po ashtu ka njoftuar për zhvillimet në Samitin e Londrës përgjatë të cilit është iniciuar në nivel kryeministrash një iniciativë bashkëpunimi mes shteteve të rajonit lidhur me shkëmbimin e informatave për personat e zhdukur që posedon secili vend i rajonit.

Gjatë tryezës u prezantua edhe një hulumtim parlamentar i realizuar nga KDI që ka analizuar nismat për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur si dhe cilat janë praktikat e vendeve të dala nga konflikti.