TI: Ballkani Perëndimor: Shtete të kapura apo shoqëri me sundim të ligjit?

Reagime 09.02.2018

Transparency International EU, ka publikuar një artikull me rastin e publikimit të strategjisë për zgjerim për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Komisioni Evropian, përmes të cilit shfaqet perspektiva e TI në raport me strategjinë përkatësisht për luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

Artikullin në shqip e gjeni në vijim:

Ballkani Perëndimor: Shtete të kapura apo shoqëri me sundim të ligjit?

Dje, Komisioni Evropian botoi Strategjinë për Zgjerim, përmes të cilës përcakton vizionin e saj për mënyrën se si BE do të angazhohet me rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë periudhës së ardhshme afatshkurtër. Kjo strategji trason rrugën e gjashtë shteteve  të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE pas viteve të hezitimeve. Kjo strategji paraqet gjashtë iniciativa për të mbështetur transformimet në rajon në një kalendar ambicioz të anëtarësimit të mundshëm në vitin 2025 për Malin të Zi dhe Serbinë.

Viteve të fundit, BE ka ngadalësuar ritmin e zgjerimit të saj, gjë që e ka lënë rajonin të pambrojtur nga fërkimet e brendshme dhe ndërhyrjet nga jashtë. Përpjekja për grusht shtet në Malin e Zi në vitin 2016, ku dyshohet se grupet pro-ruse u përpoqën të vrasin kryeministrin e atëhershëm, u pamundësua në moment të fundit. Në Maqedoni, vitin e kaluar, 200 nacionalistë sulmuan ndërtesën e Parlamentit pas zgjedhjes së një deputeti shqiptar për kryeparlamentar,  duke lënë shumë ligjvënës të përgjakur. Kjo ngjarje besohet se është rrjedhojë e një krize pas aferave për korrupsion që kanë përfshirë gjithë vendin. Bosnja dhe Hercegovina vazhdon të lëngoj për shkak të federatës së saj të brishtë, ndërkohë që statusi i Kosovës mbetet i diskutueshëm, siç është edhe rasti me emrin zyrtar të Maqedonisë.

Kjo strategji bën të qartë se çfarë do të duhej të ndodhë nëse këto shtete synojnë të shtojnë gjasat për t’u anëtarësuar të BE deri në vitin 2025 dhe porosia nuk mund të jetë më i qartë: përderisa këto vende vazhdojnë të tregojnë shenja se aparati shtetëror është i kapur nga interesat private, anëtarësimi mbetet jashtë tavolinës.

Fuqizimi dhe mbështetja e sundimit të ligjit paraqet “alfa dhe omega”-n e kësaj strategjie. Sigurisht, kjo nuk është temë e re sepse diskutimet rreth sundimit të ligjit kanë qenë gjithmonë në qendër të negociatave për anëtarësim në BE, por kësaj here, gjuha është më e rreptë se zakonisht. Pjesërisht, kjo pasqyron përvojën e hidhur të Komisionit me vende si Polonia dhe Hungaria të cilat, pas fillimit që premtonte shumë, tani gradualisht po rrëshqasin drejt autoritarizmit.

Kur një shtet anëtar merr këtë rrugë, opsionet janë të kufizuara. Komisioni mund të zhvesh këto vende nga e drejta për të votuar, ose, siç kemi sugjeruar ne, kur kërcënimet shfaqen mund të pezulloj fondet e BE. Të dy opsionet janë të mbushura me gracka politike dhe administrative. Është shumë më mirë që korrupsioni dhe kapja e shtetit të çrrënjosen para se vendet t’i bashkohen klubit.

Në Transparency International kemi kryer një analizë të thellë të strukturave të shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe kapacitetet e tyre për të luftuar korrupsionin. Analizat kanë treguar se në të gjashtë shtetet ekzistojnë sisteme të dobëta të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit; elemente të kapjes së shtetit; dhe media dhe shoqëri civile të cilat janë vazhdimisht nën kërcënim serioz.

Kjo është arsyeja përse, nga këndvështrimi ynë, strategjia e Komisionit parasheh disa hapa të rëndësishëm dhe pozitivë që mund të ndihmojnë rajonin të luftojë korrupsionin dhe kapjen e shtetit, dhe për këtë duhet lavdëruar BE për vendosjen e një theksi aq të fuqishëm te sundimi i ligjit.

Strategjia thotë: “Forcimi i sundimit të ligjit nuk është vetëm çështje institucionale. Ajo kërkon transformim të shoqërisë” – diçka për të cilën ne jemi përpjekur viteve të fundit. Reformat në letër duhet të përkthehen në veprime dhe zbatime reale dhe kjo kërkon ndryshime në shtyllat e ndryshme të shoqërisë. Strategjia gjithashtu ka në fokus edhe sistemin e drejtësisë dhe ne e mirëpresim këtë, duke pasur parasysh rëndësinë e sistemit të pavarur të drejtësie në luftën kundër korrupsionit.

Janë disa elemente që mungojnë në këtë strategji siç janë ato që ndërlidhen me sistemin politik dhe në veçanti me financimin e partive politike. Gjuha e Komisionit në këtë temë mbetet e paqartë, kurse kur  përmenden mediet dhe shoqërinë civile, do të dëshironim të shihnim propozime më specifike dhe konkrete, duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve,.

Sidoqoftë, sa i përket dokumentit të strategjisë të Komisionit Evropian, ai ofron sinjale të fuqishme se BE është e gatshme të ndërmarrë hapa të nevojshëm për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në vendet që do të bëhen anëtare të klubit evropian, në një të ardhme jo fort të largët.

Versionin origjinal mund ta shfletoni në linkun më poshtë: https://transparency.eu/balkan-strategy/