sq

Shoqëria civile marshon kundër Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, pengohet dhunshëm nga PDK-ja

Konferenca për media 17.06.2019

Mbi 100 organizata të shoqërisë civile i janë bashkuar sot “Marshit të Refuzimit”, për të kundërshtuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.

Marshi nisi nga sheshi “Skënderbeu”, dhe vazhdoi me ndalje në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare, por përfaqësuesit e shoqërisë civile u penguan në mënyrë të dhunshme nga punonjës të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), para selisë së kësaj partie në Prishtinë, përkundër faktit se për këtë marsh ishin të informuara të gjitha institucionet relevante, duke përfshirë edhe PDK-në.

Shoqëria civile, dënon dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të organizatave jo qeveritare dhe i bënë thirrje PDK-së, që si subjekti më i madh në koalicionin aktual qeverisës, të marrë barrën e përgjegjësisë që u takon dhe me veprimet e tyre të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit, duke respektuar standardet e shoqërive demokratike dhe të drejtën elementare për bashkim qytetarë, shprehje të lirë dhe protesta të qeta.

Shoqëria civile kërkon qëndrim dhe masa të veprimit nga PDK-ja, për veprimet e dhunshme të stafit të saj.

Marshi kishte për qëllim kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, i cili është në kundërshtim me frymën kushtetuese, cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Përfaqësues të shoqërisë civile përmes mesazheve të qarta që i vendosën në selitë e partive politike, u rekomanduan atyre që ta refuzojnë këtë projektligj, i cili shpenzon taksat e qytetarëve pa llogaridhënie, bën pazare politike me paratë publike, fsheh emrat e donatorëve të partive, prejardhjen e mjeteve financiare dhe ulë tarifat e gjobave.

Konkretisht, amendamentet e miratuara në lexim të dytë nga Komisioni për Buxhet e Financa e dëmtojnë projektligjin sepse:

  • Cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave. Bartja e këtyre funksioneve në një trup politik si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bie ndesh edhe me rekomandimet e Komisionit të Venedikut për forcimin e rolit të Zyrës.
  • Nuk adresojnë prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për të siguruar transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksione efikase në financimin e partive politike. Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së 2019 – 2023 e thotë qartë se KQZ-ja nuk duhet të jetë autoritet i kontrollit të financave të partive politike.
  • Dëmtojnë frymën kushtetuese të ligjit, për shkak të dispozitave kontradiktore që rregullojnë marrëdhënien midis subjektit politik dhe deputetit për çështjen e Fondit.
  • Cenojnë transparencën e subjekteve politike ndaj publikut pasi që mundësojnë mospublikimin e emrave të pronarëve të personave juridik (kompanive) që japin kontribut për subjektet politike. Për më tepër, tavanet e kontributeve “në para të gatshme” për subjektet politike janë dhjetëfishuar (nga 50 në 500 euro), ndërsa kontributet e personave fizikë dhe juridikë në kohë fushate janë dyfishuar.
  • Zvogëlojnë llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut pasi që lejon zgjatje të afateve për publikim të raporteve financiare të fushatës. Po ashtu gjobat për shkeljet e dispozitave ligjore nga subjektet politike janë zvogëluar deri në 75%.