Nis punëtoria treditore në Parlamentin e Sllovenisë për hulumtime parlamentare

Punëtori 18.09.2019

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar punëtori tri-ditore për Drejtorinë për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv të Kuvendit të Kosovës e cila po zhvillohet në Parlamentin e Sllovenisë në Lubjanë, së bashku me Departamentin për Hulumtime të Parlamentit të Sllovenisë.

Qëllimi i kësaj punëtorie është shkëmbimi i përvojave mes hulumtuesve nga parlamenti i Kosovës dhe ai i Sllovenisë lidhur me ofrimin e hulumtimeve parlamentare, metodave të hulumtimit dhe aspekteve tjera të rëndësishme në punën e të dy Drejtorive.

Menaxheri i Projektit, Artan Murati, në hapje të punëtorisë ka theksuar bashkëpunimin me Drejtorinë për Hulumtime që nga viti 2014 dhe ka prezantuar aktivitetet të cilat KDI ka organizuar në vazhdimësi për të promovuar punën e Drejtorisë dhe për të siguruar ngritjen e kapaciteteve në mënyrë të vazhdueshme. Vizitën e ka mirëpritur edhe Sekretarja e Përgjithshme e Parlamentit të Sllovenisë, Ursula Zore Tavcar, e cila ka mirëpritur delegacionin nga Kosova, duke siguruar se Parlamenti slloven do të vazhdojë përkrahjen dhe bashkëpunimin me homologët nga Kosova.

Kjo punëtori mbahet në kuadër të projektit “Përkrahje për hulumtime parlamentare” të përkrahur nga USAID.