Lansohet projekti për rritje të mbikëqyrjes publike dhe promovim të llogaridhënies

Takime 20.08.2018

Ambasada Britanike, Instituti Demokratik i Kosovës dhe BIRN lansuan zyrtarisht projektin e ri që do të mbështesë shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës. Në një ceremoni tek Ambasada Britanike, Ambasadori Britanik Ruairí O’Connell, Drejtoresha Ekzekutive e BIRN-it Jeta Xharra dhe Drejtori Ekzekutiv i KDI-së Ismet Kryeziu nënshkruan marrëveshjen për të filluar këtë bashkëpunim.

Ky projekt synon të promovojë mbikëqyrjen e organizatave lokale të shoqërisë civile dhe do të përqëndrohet në proceset e rekrutimit nëpër institucionet publike, duke përfshirë gjyqësorin, trajtimin e kontratave të prokurimeve publike, pajtueshmërinë e inspektorëve tatimorë me standardet profesionale dhe legjislacionin e konfliktit të interesit dhe pajtueshmërinë e institucioneve me rekomandimet e raporteve të Auditorit të Përgjithshëm.