sq - en

Kuvendi në 2019-ën, me zero performancë në mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve

Konferenca për media 12.07.2019

Kuvendi i Kosovës dhe trupat e tij edhe pse si përgjegjësi kryesore kanë mbikëqyrjen e zbatimin të ligjeve, këtë funksion e përmbushin në shkallë minimale dhe pa një metodologji efikase. Nga janari deri në korrik të këtij viti Kuvendi nuk ka arritur të mbikëqyr zbatimin e  asnjë ligji, kurse gjatë vitit që shkoi komisionet parlamentare kanë realizuar vetëm një mbikëqyrje, duke përmbushur vetëm 4% të planifikimeve vjetore në këtë drejtim.

Lidhur me këtë performancë të ulët, Kuvendi është kritikuar në çdo raport të Komisionit Evropian, tash e 10 vite.

Këto të dhëna u bënë të ditura sot, gjatë një konference për media të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), në të cilën u prezantua një analizë mbi mbikëqyrjen e ulët të zbatimit të ligjeve nga Kuvendi dhe u theksua se performanca e ulët e Kuvendit në këtë pikë është kryesisht rezultat i disa faktorëve të brendshëm të këtij institucioni.

Artan Murati nga KDI ka theksuar se krahas raporteve ndërkombëtare, KDI në raportet e saj periodike për punën e Kuvendit, e ka cilësuar mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve si pikën më të dobët të Kuvendit, duke vlerësuar se deputetët në vazhdimësi nuk e kanë trajtuar me seriozitet këtë çështje. “Kuvendi ka dështuar në përmbushjen e objektivave të veta minimale lidhur me monitorimin e zbatimit të ligjeve, si në planifikimin ashtu edhe në realizimin e planeve të punës së komisioneve”, ka thënë ai.

Kurse Blerta Aliu nga KDI ka ka listuar shkaktarët që KDI ka identifikuar lidhur me numrin e ulët të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.

Sipas saj zbrazëtirat ligjore në Rregulloren e Punës së Kuvendit, mungesa e metodologjisë së mbikëqyrjes së punës së komisioneve, mungesa e kapaciteteve dhe mos-shfrytëzimi i resurseve financiare të komisioneve, mos-miratimi i raporteve të komisioneve për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit në seanca plenare si pasojë e mungesës së kuorumit janë shkatarët kryesorë që po ndikojnë në mbikëqyrje të ulët të zbatimit të ligjeve.

Faktorë të tjerë që po ndikojnë në këtë performancë të ulët sipas saj janë edhe injorimi i të gjeturave të komisionit nga ana e ekzekutivit, neglizhenca e deputetëve si dhe  volumi i punës në komisione janë shkaktarët kryesor që po ndikojnë në numrin e ulët të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve nga ana e komisioneve parlamentare.

Ajo ka theksuar se komisionet parlamentare në planet e tyre të punës vazhdojnë të reflektojnë joproporcionalisht rolet dhe përgjegjësitë që kanë. “Shqyrtimi i projektligjeve është aktiviteti kryesor, ndërsa mbikëqyrja është aktiviteti më margjinal. Për ilustrim, planet e punës së 14 komisioneve parlamentare për 2019 përfshijnë shqyrtimin e 116 projekt-ligjeve, ndërsa monitorimin e vetëm 23 prej tyre”, ka thënë ajo.

Sipas Aliut, në vitin 2019, shtatë nga katërmbëdhjetë komisionet e Kuvendit nuk kanë diskutuar asnjëherë për çështjen e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve. Për më tepër, dy raporte të finalizuara për dy ligje të monitoruara gjatë 2018 nuk kanë arritur të miratohen në seancë plenare për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjithashtu theksoi se komisionet parlamentare nuk kanë konsistencë në kërkim të llogarisë nga dikasteret qeveritare lidhur me zbatimin e rekomandimeve që dalin nga raportet për mbikëqyrjen e ligjeve të caktuara.

Kurse deputetët e mandatuar në grupe punuese për mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve ka thënë se e shohin si “joaktraktiv” dhe pa benefit angazhimin e tyre në mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve, pasi sipas tyre ky aktivitet nuk u siguron vizibilitet në publik.

“Komisionet parlamentare, edhe në rast kur realizojnë mbikëqyrje, atë e bëjnë pa një udhëzues apo metodologji të qartë. Në rastet kur kanë nevojë për ekspertizë të jashtme, atë e shfrytëzojnë përmes asistencës së shoqërisë civile”, ka shtuar ajo.

Në mënyrë që të evitohen problemet e lartcekura, KDI-ja rekomandon ndër të tjera që Komisionet parlamentare, në planet e tyre të punës të shpërndajnë në mënyrë proporcionale funksionet dhe përgjegjësitë që lidhen me ligjbërjen dhe mbikëqyrjen dhe t’i rishikojnë praktikat e përcaktimit dhe përzgjedhjes së ligjeve për mbikqyrje. Po ashtu rekomandohet që Kuvendi i Kosovës të adoptojë një metodologji të qëndrueshme dhe praktike me të cilën do të shërbeheshin komisionet parlamentare gjatë ushtrimit të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.
Gjithashtu Kuvendi në mënyrë  të vazhdueshme duhet të kërkojë llogari dhe informata nga Qeveria lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raportet e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve. Kuvendi i Kosovës duhet të marrë në konsideratë edhe sigurimin e ekspertizës së nevojshme që të realizohet mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve në formë adekuate. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet t’i përmbushin obligimet dhe të kontribuojnë në mënyrë kualitative në grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit, duke mos e neglizhuar dhe zvarritur procesin.