sq - en

Kërkohet ndryshim i qasjes rreth fazës finale të dialogut dhe përfshirje të perspektivës gjinore në këtë proces

Tryeza 18.12.2019

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti sot konferencën “Rruga drejt marrëveshjes finale Kosovë-Serbi”, ku u diskutua lidhur me kornizën e një marrëveshje eventuale mes dy vendeve si dhe përfshirjen e grave në proceset e paqebërjes, si dy prej elementeve të rëndësisë së veçantë në kuadër të këtij procesi. Të pranishëm në këtë tryezë ishin përfaqësues të subjekteve politike, studiues, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, medieve dhe korit diplomatik.

Në hapje të kësaj konference drejtori ekzekutiv i KDI-së,  Ismet Kryeziu, theksoi se kjo konferencë është organizuar në kuadër të diskutimeve të vazhdueshme që KDI ka zhvilluar lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke synuar zhvillimin e një dialogu të brendshëm shoqëror dhe dialogu të strukturuar politik, mbi bazën e gjithëpërfshirjes, transparencës dhe llogaridhënies.

Ndërsa, në fjalën e tij hyrëse Granit Tërnava nga KAS, potencoi që dialogu është një domosdo, dhe duhet të gjendet mënyrat që të rifillojë sa më shpejtë. “Dialogu duhet të jetë i ndërtuar mbi parime që sigurojnë funksionalitetin e shtetit dhe ruajnë qenësinë territoriale të Kosovës. Për arritjen e një marrëveshje finale, duhet një lidership i  guximshëm, për të arritur një marrëveshje e cila nuk do të jetë e lehtë, por duhet të jetë e zbatueshme”, shtoi ai.

Në kuadër të kësaj konference, u publikuan dy punime që paraprinë diskutimet në panele. Bardhok Bashota prezantoi punimin lidhur me marrëveshjen eventuale të paqes mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa Vjollca Krasniqi punimin lidhur me rolin e grave në proceset paqebërëse.

Në panelin e parë të konferencës ku diskutuar rreth mundësive dhe sfidave të një marrëveshjeje të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, elementeve potenciale të cilat duhet të përfshihen dhe garancitë e nevojshme për zbatimin e saj.

Me këtë rast, Edita Tahiri, ish-Ministre për Dialog, theksoi se nëse Serbia nuk është e gatshme të hyjë në fazën finale të dialogut, duhet të sanksionohet nga bashkësia ndërkombëtare, e sidomos nga BE-ja, duke ia pamundësuar Serbisë perspektivën evropiane, pa njohjen e Republikës së Kosovës. “Serbisë po ashtu duhet t’i pamundësohet e drejta e vetos në BE për Kosovën, që të mos i pengohet rruga e integrimit”, ka thënë ajo.

Nenad Rasic, kryetar i Partisë Progresive Demokratike shtroi çështjen se çfarë do të duhej në të vërtetë të tentohet të bëhet në të ardhmen. Sipas tij, mënyra e vetme për të shkuar përpara është dialogu, por ka thënë se duhet një dialog që ka qëllim pajtimin dhe jo të jetë i paracaktuar. “Në këtë dialog duhet të kyçen serbët e Kosovës, dhe jo siç është tani. Vetë ideja e dialogut të Brukselit është që serbët e Kosovës të integrohen. Ekipet negociatore nuk kanë asnjë serb lokal”, plotësoi ai.

Ndërsa, Agron Bajrami, kryeredaktor në Koha Ditore, në adresimin e tij tha që dialogu është procesi më jo-transparent nga të gjitha proceset tjera. “Njerëzit që po e bëjnë dialogun, nuk mund të arrijnë marrëveshje. E kaluara politike e tyre është në kundërshtim me qëllimin e tyre për arritjen e marrëveshjes. Qëllimi nuk është arritja e marrëveshjes, por mbajtja e pozicionit aktual”, theksoi ndër të tjera ai.

Paneli i dytë i diskutimit trajtoi temën “Përfshirja e perspektivës gjinore në dialogun Kosovë – Serbi”, ku u diskutua lidhur me historikun, rëndësinë dhe efektet e përfshirjes së grave në proceset e paqebërjes.

Igballe Rogova, drejtore ekzekutive nga Rrjeti i Grave të Kosovës, theksoi që procesi i dialogut nuk bën të vazhdohet pa gratë. “Është me rëndësi që edhe OJQ-të e grave të përfshihen drejtpërdrejt, dhe jo vetëm ne role margjinale. Gratë janë garancia për të pasur paqe dhe siguri, sepse e ardhmja nuk mund të ndërtohet pa drejtësi dhe kërkimfalje”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, Tatjana Lazarevic, redaktore në portalin Kossev, potencoi se palët ndodhën në një qorrsokak dhe jetojnë brenda realiteteve hibride. Sipas saj liderët politik e kanë kontaminuar hapësirën e dialogut. Lazarevic vlerësoi se si rezultat i kësaj mënyrë të dialogimit, kurrë nuk ka pasur stigmatizim më të madh të të dy popujve në hapësirën publike. Ajo ka shtuar se ne kemi dy popuj që ekskomunikojnë njëri tjetrin në kohën kur më së shumti flitet për dialog.

Kurse panelistja, Florentina Hajdari Hajra, menaxhere e programit nga OJQ Mundësia, foli për efektet pozitive të marrëveshjeve teknike në jetën e qytetarëve. Lidhur me përfaqësimin gjinor, ajo deklaroi se gratë nuk kanë qenë pjesë e dialogut. ”Është me rëndësi që të ketë përfshirje të grave për çështje që mund të diskutohen në kuadër të dialogut siç janë çështjet e te pagjeturve dhe grave te dhunuara”, shtoi ajo.

Kjo ngjarje është zhvilluar në partneritet me Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS).