sq

KDI vëzhgon procesin e Zgjedhjeve për Kryetar të Maqedonisë së Veriut

Vizita në terren 21.04.2019

Një ekip mobil i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) ka vëzhguar procesin e Zgjedhjeve për Kryetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ekipi ka vizituar disa nga qendrat kryesore, si Shkupi, Tetova, Kumamova dhe të tjera, ku nga afër është përcjellur mbarëvajtja e procesit zgjedhor.

Të dhënat preliminare mbi pjesëmarrjen tregojnë që Maqedonia e Veriut do të duhet të organizojë një raund të dytë të zgjedhjeve, meqë asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur të sigurojë votat e shumicës së numrit të përgjithshëm të votuesve, për t’u zgjedhur President.

Përgjithësisht, vlerësojmë që procesi i organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve ka qenë i rregullt, si dhe në përputhje relativisht të madhe me parimet dhe standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve.
Një nga elementet pozitive të evidentuara nga vëzhguesve të KDI-së është përbërja e këshillave të vendvotimeve, ku është vërejtur përfaqësim i shtuar i grave në cilësinë e komisionereve.

Ndërsa, në këto zgjedhje bie në sy një nivel i ulët i daljes dhe interesimit për zgjedhje, veçanërisht në komunat apo zonat e banuara me popullësi shumicë shqiptare. Dalja në zgjedhje është diku rreth 40 për qind, që si fenomen pritet të jetë një nga sfidat kryesore për raundin e dytë, që do të mbahet më 5 maj, meqë legjislacioni zgjedhor precizon që dalja në raundin e dytë duhet të jetë minimalisht 40 për qind, në mënyrë që procesi të jetë i vlefshëm.
Bazuar në bisedat edhe me qytetarë të ndryshëm, është vërejtur një “lodhje” nga proceset e shpeshta zgjedhore në të cilat ka kaluar Maqedonia e Veriut kohëve të fundit.
Shqetësues në këto zgjedhje është edhe numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme, pëkundër thjeshtësisë së fletëvotimit.

Sipas të dhënave të marra nga institucionet përgjegjëse, edhe procesi i votimit nga jashtë, votimi në burgje, spitale dhe votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar pa parregullësi që do të cenonin integritetin e zgjedhjeve.

Vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve është zhvilluar duke marrë parasysh iniciativat vendore për reformimin e sistemit zgjedhor për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, apo edhe ndryshimin e votimit mga jashtë. Qëllimi kryesor është marrja e disa nga praktikave dhe karakteristikave kryesore të këtij procesi, e që eventualisht mund të aplikohen apo evitohen në rast të ndryshimit të sistemit zgjedhor të Kosovës.
KDI, në vazhdimësi ka bërë thirrje që reforma zgjedhore të adresohet si prioritet nga institucionet, si dhe të jetë proces gjithëpërfshirës, në të cilin merren parasysh të gjitha argumentet.