sq - en

KDI shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ndanë çmimet për foto e video #Fajikorrupsionit

Konferenca për media 09.12.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot ekspozitën e fotografive dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve për tri vendet e para në garën e fotografive dhe videove #fajikorrupsionit, me rastin e shënimit të 9 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Qytetarët që kanë aplikuar me anë të fotografisë është dashur të paraqesin pasojat e korrupsionit, ndërsa përmes videos të japin idetë e tyre se si të luftohet kjo dukuri.

Tërë kjo ka pasur për qëllim të rris vetëdijen e qytetarëve për efektet e dëmshme të korrupsionit në përditshmërinë e tyre dhe të promovojë qytetarinë aktive për të mbështetur luftën kundër korrupsionit.

Në  hapje të kësaj ceremonie Anja Becky, sekretare e pare në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, ka theksuar se korrupsioni nuk është diçka abstrakte, por është diçka që dëmton jetën tonë të përditshme dhe zhvillimin tonë.
“Na gëzon fakti që qytetarët kanë marr pjesë në numër kaq të madh në këtë garë, kanë sjellë idetë e tyre dhe na kanë treguar për pasojat që korrupsioni i shkakton”, ka shtuar ajo.

Kurse Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, ka thënë se sa i përket luftimit të korrupsionit flasin edhe fotografitë këtu prezentë që shumë mirë e pasqyrojnë nivelin e korrupsionit në vendin tonë. “Pra niveli i korrupsionit në vend është i lartë edhe përkundër angazhimeve të institucioneve për zbatim të ligjit në këtë rast edhe të Agjencisë kundër korrupsion. Jemi të mobilizuar që sa më shumë ta luftojmë bashkërisht edhe me institucione të tjera. Shoqëria civile në këtë rast është shumë aktive. Nga shoqëria civile, në këtë rast KDI kemi marrë shumë informacione gjatë këtij viti sa i përket disa situatave që kanë të bëjnë me çështje të konflikt të interesit, çështje në prokurim publik dhe fusha tjera”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Ndërsa Florent Spahija, zyrtar ligjor në KDI, ka potencuar se pjesë e pa ndashme e punës së KDI-së çdo ditë është dhënia e këshillave ligjore pa pagesë për qytetarët që duan ta raportojnë korrupsionin, sinjalizuesit e korrupsionit dhe dëshmitarët e korrupsionit. Të drejtat e punëtorëve, integriteti në sistemin e drejtësisë, financimi i subjekteve politike dhe Prokurimi publik janë fushat që KDI është angazhuar vazhdimisht.

“Në këtë ditë, kur po shënojmë Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shkarkoj ministrat dhe zëvendësministrat me aktakuza […] po ashtu rikthejmë vëmendjen duke kërkuar sërish dorëheqjen e kryeprokurorit të shtetit z. Lumezi. Gjithashtu i bëjmë thirrje prokurorisë dhe policisë që të bashkohen në luftë kundër korrupsionit dhe njëkohësisht gjykatat në dënime më të ashpra për të korruptuarit”, ka shtuar Spahija.

Ndryshe, në garë gjithsej ishin 115 fotografi dhe video, të cilat janë vlerësuar nga juria profesioniste.

Fitues të foto garës  janë:

Vendi 1  Bardha Goga

Vendi 2 Milot Krasniqi

Vendi 3 Altin Gashi

Fitues të video garës janë:

Vendi 1 Agon Nimani

Vendi 2 Florent Kastrati

Vendi 3  Basri Oruqaj

Këto gara janë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve të KDI në Muajin Kundër Korrupsionit dhe mbështeten nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë dhe Ambasada Gjermane në Kosovë.