sq - en

KDI nis aktivitetet në kuadër të muajit kundër korrupsionit 

Tryeza 02.12.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka nisur sot aktivitetet e para që do të zhvillohen në kuadër të muajit kundër korrupsionit 2018, në një bashkëbisedim me përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka theksuar se në këtë vit, KDI me aktivitetet e saj, do ta vendos qytetarin e zakonshëm në plan të parë. “Këto aktivitete kanë për qëllim ta fuqizojnë rolin e qytetarit si akter i rëndësishëm në luftën kundërkorrupsion dhe përkojnë me përpjekjet globale qytetare për një ‘botë të lirë nga korrupsioni’”, ka thënë ai.

Ndërkaq Florent Spahija, zyrtar ligjor në KDI, ka theksuar se në prag të ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit, 9 Dhjetor, Kosova në rrafshin ndërkombëtar dhe atë vendor vazhdon të asocohet ngushtë me joefikasitet në luftën kundër korrupsionit. “Secila aspiratë për të avansuar me agjendën e integrimeve evropiane dhe zhvillimin ekonomik është e kushtëzuar me rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit. Indeksi i Përceptimit të Korrupsionit nga Transparency International për vitin 2017 e radhitë  Kosovën në vendin e 85-të me 39 pikë, larg nga mesatarja globale prej 43 pikësh”, ka pohuar ai.

Spahija ka thënë se KDI, po e nisë shënimin e muajit kundër korrupsionit me mesazhe dhe inkurajim për qytetarët që të flasin dhe raportojnë korrupsionin dhe të kërkojnë llogari çdo ditë nga institucionet dhe të zgjedhurit e tyre për rezultate konkrete.

“Gjatë këtij muaji do të shpallen fituesit e garës së fotografisë dhe videos më të mirë të realizuar nga qytetarët, ku paraqiten efektet që korrupsioni ka në shoqëri dhe në jetën e përditshme. Pjesë e pa ndashme e punës sonë çdo ditë është dhënia e këshillave ligjore pa pagesë për qytetarët që duan ta raportojnë korrupsionin, sinjalizuesit e korrupsionit dhe dëshmitarët e korrupsionit.  Për tre vite punë me dhënien e këshillave ligjore kemi pranuar mbi 300 raste të ndryshme të korrupsionit”, shtoi ai.

Gjatë këtij muaji, KDI do të bëjë publike raporte që flasin për cilësinë e prokurimit në institucionet qeveritare, që janë edhe ndër shpenzuesit më të mëdhenj të parasë publike, si Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë dhe Autoriteti Qendror i Prokurimit. Në kuadër të kësaj, do të shpaloset një analizë e vendimit të qeverisë për dhënien e 53 milion eurove si penalti kompanisë “Bechtel &Enka” si dhe një analizë tjetër që flet për mosndëshkueshmërinë në prokurimin publik.

Po ashtu ka bërë të ditur se KDI gjatë këtij muaji do të trajtoj edhe financimin e subjekteve politike në kohë të fushatave elektorale, më saktë përmes një analize ligjore do të promovojë standardet e reja të transparencës në fushata zgjedhore, standarde që përdoren edhe në vendet e BE-së.