sq - en

KDI dënon gjuhën dhe sjelljet joparlamentare të deputetëve ndaj Kryetares së Kuvendit

Reagime 10.07.2020
Instituti Demokratik i Kosovës dënon gjuhën dhe sjelljet tërësisht joparlamentare të përdorura nga ana e deputetëve gjatë diskutimeve lidhur me projektligjin për rishikim të buxhetit, gjatë seancës së sontme. KDI vlerëson që me sjelljen dhe veprimet e tyre, deputetët kanë penguar Kryetaren e Kuvendit për të ushtruar funksionet e saj, të përcaktuara me Rregulloren e Punës, duke shkaktuar dhe ndërprerjen e punimeve të seancës.
Rregullorja e Punës i jep autoritet Kryetares së Kuvendit për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e seancës dhe për t’ia tërhequr vërejtjen deputetëve që nuk i respektojnë rregullat dhe përdorin gjuhë dhe sjellje joparlamentare.
KDI kërkon që ndaj deputetëve që penguan punimet dhe mbarëvajtjen e seancës, si dhe nuk respektuan autoritetin e Kryetares së Kuvendit, të ndërmerren masa disiplinore në përputhje me Rregulloren, në mënyrë që situata të tilla të evitohen në të ardhmen.