Institucionet e Kosovës të kordinojnë veprimet ndaj fluksit të qytetarëve të Shqipërisë në Kosovë

Konferenca për media 02.12.2019

Më 26 nëntor Shqipëria u godit nga një tërmet shkatërrimtar, me pasoja në njerëz dhe dëme të mëdha materiale.

Për shkak të kushteve të krijuara, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Shqipërisë janë drejtuar drejt Kosovës për të gjetur strehim në këto ditë të vështira për ta. Solidariteti i popullit të Kosovës ishte i pashembullt, si për të ofruar ndihma materiale e financiare, e gjithashtu duke ofruar strehim për të gjithë nevojtarët.

Përderisa institucionet e Republikës së Kosovës ishin të parat që reaguan në këtë situatë emergjente duke dërguar në afat rekord forcat e specializuara në Shqipëri,
fluksi i njerëzve që kanë hyrë në Kosovë ka mbetur i pamenaxhuar. Pavarësisht hapjes së Kampit të Inovacionit në Prizren, kërkesat për strehim ishin shumëfish më të mëdha.

Në mungesë të menaxhimit institucional, qytetarë e nisma qytetare të shumta u vetorganizuan për të identifikuar mundësi strehimi dhe ndërmjetësim për akomodimin e qytetarëve të Shqipërisë, sidomos mbrëmë.
E gjithë kjo ka nxjerrë në pah mungesën e plotë të informatave, kordinimit dhe mbi të gjitha udhëzimeve nga institucionet përgjegjëse se si të veprohet në këtë situatë.

Nëse gjendja e njejtë përsëritet sonte dhe në ditët në vazhdim, nga solidariteti shembullor dhe euforia gjithëpopullore për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë situata në fjalë rrezikon të dalë nga kontrolli.

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë rikujtojnë përgjegjësinë e institucioneve që të menaxhojnë situatat e tilla, duke kordinuar aktivitetet zyrtare dhe duke informuar e udhëzuar qartë qytetarët e interesuar.

Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të krijojë një shtab emergjent qendor, i përbërë nga të gjitha institucionet përgjegjëse që do të ndërmarrin dhe kordinojnë të gjitha veprimet në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë në Kosovë.

Ndër të tjera, ky Shtab do të duhej që menjëherë të:
1) Krijojë shtabe emergjente lokale, që i përgjigjen shtabit qendror dhe janë përgjegjës për aktivitetet e njejta në nivel lokal;
2) Themelojë një Qendër Thirrje Unike për komunikim me të gjithë qytetarët e interesuar që të ndihmojnë, strehojnë apo angazhohen në cfarëdo mënyre në këtë situatë;
3) Krijojnë një Regjistër të Përgjithshëm të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë që kanë hyrë dhe do të hyjnë këto ditë në Kosovë, me detajet personale të tyre dhe në bashkëpunim me institucionet e Republikës së Shqipërisë, si dhe nikoqirëve të tyre në Kosovë;
4) Të nisë një fushatë gjithëpërfshirëse të informimit për qytetarët e Kosovës lidhur me të gjitha nevojat dhe mundësitë për ndihmë;
5) Të fillojë ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët e Shqipërisë në Kosovë, për të siguruar një mirëqenie minimale të tyre gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë.

Organizatat e shoqërisë civile janë të gatshme që të ndihmojnë institucionet e shtetit me te gjitha kapacitetet e tyre, në kuadër të misioneve përkatëse, përderisa qytetarët vecse e kanë treguar tashmë këtë gatishmëri.

Por, ky angazhim vullnetar duhet të kanalizohet në kuadër të një angazhimi institucional të kordinuar, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të Qeverisë dhe institucioneve tjera publike të Kosovës.

Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile KCSF, Ec Ma Ndryshe, Instituti GAP, Fondi për Zhvillim të Komunitetit CDF, Instituti Demokratik i Kosovës KDI, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN, Syri i Vizionit, Grupi për Studime Juridike dhe Politike GLPS, Qendra e Resurseve për Trajnim dhe Avokim ATRC, Balkan Sunflowers Kosova, Let’s Do It Peja, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR, Kosovo Architecture Foundation – KAF, Lëvizja FOL, CDKD Kamenicë, Qendra per Arsim e Kosoves – KEC, Rrjeti i Grave të Kosovës, ÇOHU!, KIPRED, Instituti Riinvest, GERMIN, Community Building Mitrovica – CBM, Iniciativa për Progres – INPO, Trashëgimia Kulturore pa Kufinj (CHwB) Kosovë, Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD, CEL Kosovë, Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim – KADC, Instituti EdGuard, Rrjeti i organizatave të grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane të Kosovës – RROGRAEK, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, Shoqata Kulturore Plejada Prizren, POLIS Lipjan, Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K), Këshilli Rinor i Kosovës – KYC, Shoqata e Intelektualëve të Pavarur Deçan, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë – QKSS, Network of Peace Movement (NOPM) Kamenicë, Integra, ACDC, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, Shoqata e Intelektualëve Boshnjakë të Kosovës – VKBIK, Grupi Ballkanik për Studim të Politikave – BPRG