Gjuha denigruese dhe dhuna janë në kundërshtim me vlerat e garës zgjedhore

Reagime 12.09.2019

Demokracia në Veprim, është duke i përcjellë me shqetësim ballafaqimet e kandidatëve në debate publike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të  6 tetorit.
Gjuha denigruese dhe seksiste e shpërfaqur në debate televizive në mes të kandidatëve, përveç që dëmton rëndë procesin zgjedhor, e minon vlerën e debatit dhe i kontribuon tensionimit të ambientit politik.

Për më tepër, dhuna e ushtruar në çfarëdo forme është e pajustifikueshme dhe e papranueshme. Aktet e dhunës dëmtojnë kredibilitetin e procesit zgjedhor, krijojnë ambient të pasigurt politik dhe rrezikojnë të nxisin përplasje qytetare.

DnV-ja u bën thirrje kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, të përmbahen nga gjuha denigruese e seksiste, sulmet verbale dhe fizike. Subjektet politike dhe kandidatët e tyre duhet të kultivojnë vlerat bazike të demokracisë duke treguar pjekuri dhe profesionalizëm në debate dhe duke lejuar konkurrueshmëri të ideve dhe platformave.

DnV-ja fton Policinë e Kosovës, që të reagojë shpejt dhe në mënyrë efikase në qartësimin e situatave dhe në informimin e drejtë të publikut. Institucionet e sigurisë duhet të garantojnë kushte për fushatë politike të qetë, me mundësi të barabarta për të gjitha subjektet politike për paraqitjen e programeve të tyre zgjedhore.