sq - en

DnV: Atmosferë e qetë drejt përmbylljes së fushatës zgjedhore, financimi i fushatës jotransparent

Konferenca për media 04.10.2019

Vëzhguesit e Demokracisë në Veprim (DnV), gjatë periudhës 1-3 tetor, kanë vëzhguar 229 aktivitete të subjekteve politike ku kanë marr pjesë rreth 79 mijë qytetarë. Mbetet relativisht i lartë (18%) numri i aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike, të cilat nuk janë paralajmëruar  në Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ). DnV beson që paralajmërimi me kohë i aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike në KKZ, mundëson informim më të drejtë të qytetarëve mbi programet zgjedhore të subjekteve politike, mbarëvajtje të këtyre aktiviteteve, si dhe rritë transparencën e procesit zgjedhor duke e bërë më të qasshme matjen e shpenzimeve të subjekteve politike në fushatë.

Gjatë gjithë fushatës zgjedhore në Kosovë, subjektet politike kanë shpalosur premtime elektorale, kryesisht ideologjike të lidhura për tema aktuale që zgjojnë interes dhe emocion tek votuesit.  Gjatë tre ditëve të fundit, në fokus të mesazheve elektorale kanë qenë tre sektorë: arsimi, ekonomia dhe shëndetësia. Temat të cilat kanë marr më pak vëmëndje, përkundër rëndësisë së tyre, kanë qenë energjia dhe administrata.

DnV është duke përcjellë me vëmendje rastin e ish deputetit Ramiz Kelmendi dhe veprimet e Prokurorisë së Shtetit në hetimin e tij, për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve, përkatësisht punëtorëve të kompanisë, pronar i të cilës është ish deputeti. Ky veprim përveç se paraqet cenim të mendimit autonom të votuesit në këmbim të të mirave materiale, mbi të gjitha është vepër penale e dënueshme. DnV i bënë thirrje Prokurorisë që sa më shpejtë të dalë me rezultate konkrete në mënyrë që të parandalohen edhe raste të tjera të ngjashme.

Pjesëmarrja e grave kandidate si folëse në aktivitete të fushatës zgjedhore vazhdon të mbetet nën kufirin e kuotës gjinore prej 30%.  Në tre ditët e fundit të fushatës vetëm 22% e folësve ishin gra, pavarësisht normave ligjore dhe kushtetuese të cilat garantojnë barazi gjinore në jetën publike dhe institucionale. Ngjashëm qëndron edhe trendi i pjesëmarrjes së përgjithshme të grave në aktivitete zgjedhore ku ato përfaqësojnë vetëm 25% të pjesëmarrësve.

Tanimë, në përmbyllje të fushatës, nuk është raportuar për intensifikim të përpjekeve të subjekteve politike në edukimin e votuesve të tyre për mënyrën e drejtë të votimit. Promovimi i numrit të subjektit dhe shpërndarja e kartëvizitave të kandidatëve që garojnë në zgjedhje kanë qenë format më të shpeshta të “edukimit” të votuesve. Numri i votave të pavlefshme në zgjedhjet e fundit komunale të 2017 ka qenë rreth 80 mijë.

Në raport me shkeljet e rregullatives për zgjedhje, DnV ka qenë mjaft aktive dhe gjatë 9 ditëve të monitorimit të fushatës, ka dorëzuar në PZAP 23 ankesa, prej të cilat 13 janë miratuar, 2 janë refuzuar dhe 8 të tjera janë në shqyrtim. Gjobat të cilat janë shqiptuar për subjektet politike lidhur me 13 ankesat e miratuara kapin shumën prej 60,650 euro.

Me qëllim të matjes së transparencës së shpenzimeve dhe mënyrës së financimit të subjekteve politike në fushatë, KDI së bashku me Transparency International nga Republika e Çekia, në fillim të fushatës ka dërguar një pyetësor tek të gjitha subjektet politike të cilat marrin pjesë në zgjedhje. Pyetësorit lidhur me shpenzimet u janë përgjigjur pozitivisht vetëm 5 nga 26 subjekte politike të kontaktuara dhe atë Lëvizja Vetëvendosje, Partia e Drejtësisë, Partia Fjala, KDTP (Kosova Demokratisi Turk Partisi) dhe GIG (Gragjanska Iniciativa Gora).

Lëvizja Vetëvendosje si subjekt i madh politik ka deklaruar se për fushatë zgjedhore do të shpenzojë mbi gjysmë milioni euro (565 mijë euro), ndërsa subjektet tjera më të vogla kanë deklaruar shpenzime shumë më të vogla dhe atë kryesisht për organizim të tubimeve dhe vendosjen e panove (bilbordave).

Përfaqësuesi i TI nga Republika Çeke, z. David Ondrá?ka, deklaroi se votuesit duhet të dinë se kush po financon partitë dhe kandidatët që po garojnë. “Ata duhet ta dinë atë para zgjedhjeve që më pas të mund të marrin një vendim  kur janë të informuar. Ky është standardi evropian sot”, ka  thënë Ondrá?ka.

Vëzhguesit e DnV-së kanë vazhduar me monitorimin e shpenzimeve që subjektet politike kanë bërë për aktivitetet e tyre në fushatë. Edhe gjatë ditës 7, 8 dhe 9 të fushatës, sipas raportimeve nga vëzhguesit e DnV-së, subjektet politike kanë shpenzuar rreth 535,181 euro në aktivitete partiake. Kjo e çon vlerën e përgjithshme të shpenzuar në aktivitete zgjedhore deri në ditën e nëntë në  2 milionë e 125 mijë euro.

*Për kalkulim të shpenzimeve janë përdorur çmimet mesatare të tregut. Në këtë kalkulim nuk përfshihen zbritjet e mundshme të çmimeve nga operatorët ekonomik që ofrojnë për subjektet politike apo kandidatët për deputet.

Ndarja sipas subjekteve politike e shpenzimeve për ditën 7, 8, dhe 9 të fushatës zgjedhore mund të shihet në tabelën më poshtë:

Subjektet Politike Shpenzimet
PDK € 165,431
LVV € 108,469
AAK – PSD € 99,951
LDK € 79,600
NISMA – AKR – PD € 31,257
LISTA SERBE € 28,797
Të tjera € 21,676
TOTAL € 535,181

 

Ndërsa, pasqyra e shpenzimeve të secilit subjekt politik për aktivitetet e fushatës që nga fillimi e deri më sot është si në vijim:

Subjektet Politike Shpenzimet
LDK  € 781,645
PDK  € 446,960
LVV  € 325,570
AAK – PSD  € 252,433
NISMA – AKR – PD  € 158,309
LISTA SERBE € 107,004
Të tjera  € 53,803
TOTAL  € 2,125,725

 

Raportin e plotë për ditën 7,8,9 të fushatës zgjedhore (1-3 tetor 2019), e gjeni këtu.