Hapja e çështjes së planifikimit të buxhetit komunal sipas perspektivës gjinore ka prodhuar diskutime të shumta në tryezën që u organizua më 9 shtator nga KDI në komunën e Dragashit. Përderisa zyrtarët nga drejtoria komunale për ekonomi dhe financa konfirmojnë se në projeksionet buxhetore 2017 dhe 2018-2019, kanë qenë të përfshirë të gjithë akterët dhe grupet e interesit dhe se ka hapësirë për mbështetje të projekteve me interes gjinor, përfaqësuesja nga Zyra për Barazi Gjinore mohoi se kanë qenë e përfshirë në këtë proces. Ajo kërkoi funksionalizimin e çerdhes së fëmijëve në 2017, gjë e cila do të ndikonte edhe në punësimin e grave të komunës dhe pjesëmarrjen e tyre në funksione vendimarrëse. Në anën tjetër, përfaqësuesja e shoqërisë civile tha se “nëse komuna do të kishte ofruar përkrahje më të madhe për gratë, ato do të kyçeshin aktivisht në aktivitete, sepse komuna e Dragashit nuk ka nevojë vetëm për shtruarjen e kubëzave dhe rrugëve, por edhe për përfshirjen e grave në vendimmarrje”. Ajo poashtu mohoi se ka qenë e ftuar takime për planifikimin e buxhetit komunal.
Pakënaqësi në këtë drejtim shprehën edhe gratë asambleiste. Nazmije Velija, kuvendare nga rradhët e PDK-së, parti kjo që edhe ka udhëheqjen në këtë komunë, ngriti problemin e transportit për nxënësit e shkollave të mesme të Komunës së Dragashit, të cilët vazhdojnë t’i vijojnë mësimet në Prizren për shkak se Komuna e Dragashit ka dështuar të arrijë marrëveshje me kompanitë transportuese me një çmim më të arsyeshëm. Ajo, poashtu theksoi mungesën e përkrahjes institucionale për personat me aftësi të kufizuar. Ndër projektet që kërkuan mbështetje buxhetore ishte edhe ai për vazhdimin dhe përfundimin e shkollimit të të mesëm të atyre grave që për arsye të ndryshme nuk patën mundësi t’a përfundojnë atë.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit “Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie”, mbështetur nga The Olof Palme Centre ndërsa ka për qëllim fuqizimin e gruas në politikëbërje.