Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Komisionin parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka mbajtur sot në Prizren dëgjim publik rreth Pakos së Projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në hapje të këtij dëgjimi Adelina Hasani nga KDI ka theksuar se është bërë më shumë se një muaj që në Kuvendin e Kosovës ka shkuar Pako e tri projektligjeve për FSK-në e cila ka kaluar në shqyrtim të parë dhe se organizimi i këtij dëgjimi publik bëhet me qëllim që trajtimi dhe diskutimi i pakos së tri projektligjeve të jetë sa më gjithëpërfshirës.
Kurse Haxhi Shala deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nisma Socialdemokrate, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, ka potencuar se pas miratimit të pakos së ligjeve në Kuvend komisioni që ai drejton është në fazën e amendamentimit të këtyre ligjeve. “FSK-ja është institucion kushtetues dhe kjo pako ligjore vetëm sa e avancon rolin e FSK-së. Duke e ditur rëndësinë e këtyre ligjeve për ne është shumë e rëndësi të marrim mendimet e qytetarëve dhe të gjithë akterëve të rëndësishëm në këtë proces” , ka thënë Shala sipas të cilit në momentin që miratohen këto ligje, Kosova do të bëhet me ushtri pavarësisht që emri nuk do t’i ndërrohet.
Kurse zëvendëskryetari i këtij komisioni, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka theksuar se komisioni po bën punë të mirë në mbajtjen e këtyre dëgjimeve publike në këtë fazë për shkak të rëndësisë që kanë këto ligje. “Kjo pako është shumë e rëndësishme jo vetëm për FSK-në por edhe për të gjithë popullin e Kosovës. Është shumë mirë që kemi ardhur deri në këtë fazë që tanimë i kemi në Kuvend dhe po i trajtojmë këto ligje.
FSK-ja nuk i përket vetëm një etnie, por është e të gjithë qytetareve dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve”, ka shtuar ai.
Anëtari tjetër i këtij komisioni, deputeti nga radhët e PDK-së, Fatmir Xhelili, ka potencuar se është shumë e rëndësishme që FSK-ja tash të avancoj rolin e saj pasi që ka punuar shumë që të përgatitet për transformimin dhe avancimin e rolit në mbrojtje të qytetarëve të Republikës së Kosovës, gjithmonë në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Po ashtu shtoi se FSK-ja është e hapur për të gjitha komunitetet që bashkëjetojnë në Kosovë.
Tutje gjatë diskutimit, pjesëmarrësit në këtë dëgjim publik nga organizatat e shoqërisë civile si dhe përfaqësuesit nga të gjitha grupet e komuniteteve të cilët jetojnë në Komunën e Prizrenit drejtuan pyetje dhe dhanë komente për ligjet para anëtarëve të Komisionit parlamentar.
Po ashtu deputetët ju përgjigjën interesimit të pjesëmarrësve lidhur me çështjet që ngritën karshi këtyre ligjeve.
Ky dëgjim publikë u organizua në kuadër të projektit për përkrahje të hulumtimeve parlamentare në Kosovë, që mbështetet nga USAID. Qëllimi i këtij projekti është që përmes hulumtimeve parlamentare të rritet cilësia e ligjeve në vend.