Mungesa e ujit të pijes shqetësim i komunitetit boshnjak dhe goran në komunën e Dragashit

Takime 23.07.2018

Pjesëmarrja e komuniteteve pakicë në proceset vendimmarrëse në nivel lokal mbetet parakusht për integrim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Për këtë qëllim, sot është organizuar takimi i radhës me komunitetin boshnjak dhe goran në komunën e Dragashit, ku pjesëmarrësit identifikuan çështjet të cilat janë brengë për lokalitetet ku jetojnë komunitetet në këtë komunë.

Pjesëmarrësit në këtë takim theksuan probleme të mëdha të atilla si: mungesat e ujit të pijshem në fshatrat Kukaljane, Mlike dhe Rapca,  përqindja e vogël e punësimit të komuniteteve pakicë në nivel lokal,  përdorimi i burimeve natyrore në rajonin e Gorës pa pëlqimin e qytetarëve (hidrocentralet të ndertuara në një territor shumë të vogël), përdorimi pa kriter i pyjeve, cilësia e dobët e punëve infrastrukturore dhe mungesa e mirëmbajtjes së rrugëve në zonat rurale.

Po ashtu, shqetësimi i tyre ishte edhe  kalimi i pakontrolluar i kufirit me Shqipërinë, përdorimi i burimeve natyrore në zonën e Gorës (mbledhja e bimëve mjekësore), siguria publike me fokus në numrin e madhe e qeneve endacak, dhënia pa kriter dhe mos transparenca e dhënies së lejeve për përdorimin e kullosave etj.

 

Ky aktivitet është ndërmarr në kuadër të projektit “Së bashku mundemi” i cili mbështet nga Ambasada Çeke, që si objektiv kryesor ka mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve në informim dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse në nivel komunal.