Ne tryezen e KDI, Presidenti Thaci ben thirrje per konsensus nacional per te permbyllur dialogun Kosove-Serbi

14.09.2017

Ne tryezen qw sot KDI organizoi per “Te ardhmen e dialogut Kosove-Serbi”, Presidenti i Republikes se Kosoves, z. Hashim Thaçi diskutoi me përfaqësuesit e partive politike, shoqërisë civile dhe medias per fazën e re të dialogut, vizionin e tij për formimin e ekipit të unitetit, epilogun e dialogut, idenë për të organizuar një referendum lidhur me marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkrahjen dhe rolin e faktorit ndërkombëtar në këtë proces veçanërisht përkrahjen nga SHBA-të.

Në hapje të kësaj tryeze drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi se procesi i dialogut në 6 vitet e tij ka prodhuar një numër të konsiderueshme të marrëveshjeve, megjithatë disa sosh janë rinegociuar, teksa të tjera nuk po gjejnë mjaftueshëm vullnet dhe ambient për zbatim. Moszbatimi i marrëveshjeve si ajo e drejtësisë, e energjisë, rivitalizimit të Urës dhe debatit rreth kodit telefonik ka thënë se e kthyen dialogun në temë të përditshme të përplasjeve politike.

“Me gjitha rezolutat e miratuara nga Kuvendi, mungesa e theksuar e transparencës dhe gjithëpërfshirjes në proces kanë qenë tipare që e kanë përcjell këtë proces, madje dhe në çështjet e ndjeshme të cilat mund të kishin implikime edhe në rendin Kushtetues të Kosovës. Marrëveshjet s’kanë qenë transparente, teksa një pjesë e tyre ende mbeten të pa publikuara. Njëra ndër to është edhe Marrëveshja për sektorin e drejtësisë”, ka thënë ndër të tjera Kryeziu.

Kurse President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se duhet të përgatitemi bashkërisht dhe të ndërtojmë një konsensus nacional dhe politik për të përmbyllur me sukses fazën përfundimtare të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se dialogu mbetet mënyra e vetme për të zgjidhur çfarëdo mosmarrëveshje, për t’i ikur konfliktit dhe për të konfirmuar përkushtimin tonë për paqe të qëndrueshme në shtetin tonë dhe në rajon.

Presidenti po ashtu ka theksuar se ka iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim që do të promovojë dialogun e brendshëm në Kosovë, në mes të të gjitha komuniteteve, për të mbyllur kapitullin e luftës e konfliktit dhe për të hapur kapitullin e paqes.

Ai ka thënë se përkundër sfidave që ka pasur procesi i dialogut, dhe sfidave që mbeten në implementimin e marrëveshjeve të arritura, megjithatë është arritur të ndërtohet besimi në këtë proces.

Presidenti ka theksuar se tani është koha që i tërë procesi të marrë një kualitet tjetër dhe të punojmë për ta përmbyllur me sukses këtë proces.
Sipas tij, kjo është në interes të Kosovës, të rajonit dhe me gjerë, duke shtuar se është inkurajuese që për këtë janë të përcaktuar të gjithë, të gjitha partitë politike.

“Pra, kemi një konsensus të plotë rreth nevojës për dialog. Prandaj unë tashmë e bërë publike iniciativën time për themelimin e Grupit të Unitetit për të punuar bashkërisht për përmbylljen e këtij procesi. Grupi i Unitetit do të përbëhet prej përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Kosovës, pra të Presidencës, të Qeverisë, të Kuvendit ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike parlamentare. Përveç kësaj, një rol të rëndësishëm në kuadër të punës së Grupit të Unitetit do të luajnë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, akademia, mediat dhe cilido që konsiderohet se mund të jap kontribut në këtë proces”, ka theksuar ndër të tjera ai.

Sipas tij, kjo do të garantojë konsensusin politik në dialog, por edhe ekspertizën e nevojshme për dialog dhe përkushtimin për të zbatuar e arritur.
“Natyrisht, unë kam kërkuar që në fazën përfundimtare të këtij procesi, të kemi edhe përfshirjen direkte të SHBA-së. Dobitë nga kjo paqe e qëndrueshme në Ballkan janë edhe për tërë kontinentin”, ka thënë Thaçi.

Kjo tryezë organizohet në kuadër të projektit që synon rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ky projekt financohet nga Ambasada e Zvicrës.