Prishtinë, 5 mars 2010. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar raportin e monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për muajin shkurt të vitit 2010. Në raport janë paraqitur të gjeturat nga monitorimi i seancave të Kuvendit të Kosovës, komisioneve si dhe dëgjimeve publike.
Sipas Driton Selmanaj, përfaqësues i KDI-së, akti i dorëheqjes së Kryeministrit Hashim Thaçi nga pozita e deputetit, megjithëse i vonuar, është i mirë, ndërkohë që është kërkuar që këtë shembull ta përcjellin edhe ministrat e kabinetit Thaçi. Selmanaj ka përmendur edhe zvarritjen e mëtejshme të rregullores së re të punës, duke e quajtur si të pa-arsyeshme. Ai ka përmendur edhe injorimin nga ministrat të pyetjeve parlamentare. ?Shembull më konkretë për këtë ishte seanca e datës 11 shkurt 2010, ku gjatë kohës së pyetjeve parlamentare nga kabineti qeveritar ishin të pranishëm vetëm pesë (5) ministra, ku nga njëzeteshtatë (27) pyetje të deputetëve, vetëm tri pyetje morëm përgjigje dhe atë, dy nga ministri Vehapi dhe një nga ministri Limaj?, ka thënë Selmanaj.
Nga raporti është theksuar edhe mosgatishmërinë e ministrit Limaj për raportim para komisionit parlemantar për Ekonomi, Tregti dhe Industri. Po ashtu, mungesa e ministrit Arsim Bajrami, ka bërë që të shtyhet Projektligji për Administratën shtetërore të Republikës së Kosovës. Një vlerësim pozitiv i është dhënë formimit të komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës.
Merita Mustafa, menaxhere e programit anti-korrupsion në KDI, ka prezantuar pjesën e punës së Kuvendit lidhur me legjislacionin kundër-korrupsion, me theks të veçantë mos-interesimin e partive politike për ligjin për financimin e partive politike. ?Kur është fjala për luftimin e korrupsionit, e që në radhë të parë kërkon një bazë të fortë ligjore, Kuvendi po vazhdon me praktikat e mëhershme duke tej-zgjatur procesin e hartimit dhe miratimit të legjislacionit kundër-korrupsion?, ka thënë Mustafa. Sipas saj, megjithëse me vonesë, Komisioni për Buxhet dhe Financa ka organizuar një dëgjim publik për të diskutuar Projektligjin për Financimin e Partive Politike, ku edhe njëherë u dëshmua se partitë politike ende nuk janë të gatshme që të diskutojnë këtë çështje.
Në anën tjetër, Admir Istrefi nga KDI, ka prezantuar projektin e ri të KDI-së për monitorimin e Planit të Veprimit për Partneritet Europian (PVPE-së). Gjatë krahasimit të Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për vitin 2009 dhe po të njëjtit plan për vitin 2010, është vërejtur që shumë veprimeve të cilat ishin paraparë në Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për vitin 2009 përsëriten edhe në Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për vitin 2010?, ka thënë Istrefi, duke shtuar se kjo le të kuptohet që shumë veprime të propozuara për Komisionet Parlamentare të Kuvendit të Kosovës, nuk janë përmbushur në vitin 2009, e me këtë nuk janë përmbushur as sfidat që kishin dalë nga Raporti i Progresit të vitit 2008. Sipas tij, në Raportin e Progresit të vitit 2009 vjen deri tek përsëritja e po të njëjtave sfida dhe kjo pasqyron ngecjen e progresit të Kosovës drejt përmbushjes së standardeve të Bashkimit Evropian, si kusht për anëtarësim.