KDI: Presidenti të zgjidhet deri më 4 tetor, ushtrimi i mëtejshëm i detyrës të trajtohet shpejt përmes sqarimit kushtetues

Konferenca për media 02.10.2026

Prishtinë, 2 tetor 2026 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) mbajti sot konferencë për media, në të cilën prezantoi analizën “Ushtrimi i detyrës së Presidentit përtej gjashtë muajve”. KDI kërkoi që partitë parlamentare t’i përqendrojnë përpjekjet në zgjedhjen dhe betimin e Presidentit deri më 4 tetor, për të shmangur pasigurinë për ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore.

Gjatë prezantimit, Eugen Cakolli rikujtoi se periudha e ushtrimit të detyrës nga Albulena Haxhiu, e nisur më 4 prill, përmbyllet më 4 tetor. Ndërkohë, afati përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, është 6 tetori, pra vetëm katër ditë larg. Zgjedhja dhe betimi i Presidentit përpara 4 tetorit do ta shmangnin hyrjen në një periudhë në të cilën autoriteti për ushtrimin e përgjegjësive presidenciale mund të bëhet i kontestueshëm.

“Afati i 6 tetorit përcakton kohën që ka Kuvendi për ta zgjedhur Presidentin dhe pasojën nëse dështon, ndërsa kufiri gjashtëmujor lidhet me kohëzgjatjen e ushtrimit të përkohshëm të përgjegjësive presidenciale”, tha Cakolli.

Cakolli iu referua edhe deklaratës së përbashkët të publikuar dje nga rreth 50 organizata të shoqërisë civile, përmes së cilës u kërkua marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit. Një dështim tjetër do ta qonte vendin në zgjedhje, me rrezikun që mosmarrëveshja për Presidentin të vazhdonte edhe në legjislaturën pasuese dhe rrjedhimisht vendi të gjendet sërish në të njëjtën situatë.

Në anën tjetër, Vullnet Bugaqku paraqiti vlerësimin e KDI-së se kufiri gjashtëmujor, i përcaktuar në nenin 90(3) të Kushtetutës, e kufizon ushtrimin e përkohshëm të funksionit të Presidentit. Sipas analizës, rizgjedhja e Kryetares së Kuvendit më 9 shtator nuk ka krijuar automatikisht një periudhë të re gjashtëmujore, përderisa mungesa e një Presidenti të zgjedhur ka vazhduar.

“Rizgjedhja ose ndërrimi i Kryetarit, pa ndërprerjen e vakancës presidenciale, nuk trajtohet si rifillim automatik i afatit”, u shpreh Bugaqku.

Ai theksoi se mungesa e një mekanizmi të shprehur pasimi pas përfundimit të gjashtëmujorit krijon pasiguri për ushtrimin e kompetencave të Presidentit. Kjo çështje bëhet veçanërisht e rëndësishme nëse zgjedhja e Presidentit dështon edhe më 6 tetor, sepse shpallja e zgjedhjeve të reja është kompetencë ekskluzive e Presidentit.

KDI kërkoi që Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes, apo palët tjera të autorizuara, ta shqyrtojë menjëherë mundësinë e një kërkese për sqarimin e aktgjykimit të fundit, sipas praktikës dhe qasjes në rastin e vitit 2011. Çështjet që kërkojnë përgjigje përfshijnë lidhjen ndërmjet dy afateve, bazën dhe kufijtë e ushtrimit të përgjegjësive të Presidentit pas 4 tetorit dhe autoritetin për shpalljen e zgjedhjeve në rast të dështimit të zgjedhjes së Presidentit. Në këtë drejtim, KDI i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që kërkesat eventuale t’i trajtojë me përparësi dhe në procedurë të përshpejtuar, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme dhe duke marrë parasysh afërsinë e 4 dhe 6 tetorit.