15 korrik 2026
Organizatat e shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia: Integriteti politik është thelbësor për qytetarët tanë dhe për të ardhmen tonë evropiane
Ne, degët e Transparency International nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia, pas takimit të 29 qershorit në Shkup, riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për promovimin e integritetit publik, transparencës dhe llogaridhënies demokratike. Kjo deklaratë mbështetet nga një koalicion i gjerë i organizatave të shoqërisë civile nga mbarë rajoni, duke reflektuar përkushtimin e përbashkët ndaj parimeve dhe prioriteteve të përcaktuara në këtë dokument.
Ne besojmë se institucionet e hapura, llogaridhënëse dhe të qëndrueshme përbëjnë themelin e qeverisjes demokratike, zhvillimit të qëndrueshëm dhe besimit të qytetarëve – elemente të domosdoshme për avancimin e vendeve tona drejt standardeve dhe vlerave evropiane.
Përvoja jonë e përbashkët, e ndërtuar përmes monitorimit, hulumtimit dhe avokimit, dëshmon se, ndonëse vendet e rajonit kanë shënuar progres të rëndësishëm, sfida të konsiderueshme në fushën e qeverisjes vazhdojnë të mbeten edhe mw tej. Korrupsioni, mungesa e transparencës së mjaftueshme, ndikimi i padrejtë në proceset e vendimmarrjes publike dhe mekanizmat e dobët të llogaridhënies vazhdojnë të cenojnë integritetin institucional, të dëmtojnë besimin e publikut dhe të kufizojnë efektivitetin e institucioneve demokratike.
Adresimi i këtyre sfidave kërkon vullnet të qëndrueshëm politik, institucione më të fuqishme dhe bashkëpunim kuptimplotë ndërmjet qeverive, shoqërisë civile, mediave, komunitetit akademik dhe qytetarëve.
Përparimi në integritetin publik nuk mund të matet vetëm përmes miratimit të legjislacionit apo strategjive formale. Reformat e qëndrueshme kërkojnë zbatim tw qwdnrueshwm, mbikëqyrje të pavarur, kapacitete institucionale dhe përmirësime të matshme në transparencë, llogaridhënie dhe ofrimin e shërbimeve publike. Vetëm përmes shndërrimit të angazhimeve në veprime konkrete, qeveritë mund të forcojnë qëndrueshmërinë demokratike dhe të rikthejnë besimin e qytetarëve.
Transparenca duhet të shkojë përtej publikimit formal të informacionit. Ajo duhet të garantojë që qytetarët të kenë qasje të plotë në mënyrën se si merren vendimet publike, si ndahen dhe shpenzohen fondet publike dhe si ushtrohet pushteti publik. Po ashtu, integriteti nuk duhet të konsiderohet vetëm si obligim ligjor, por si parim themelor që udhëheq veprimtarinë e përditshme të institucioneve publike dhe aktorëve politikë.
Për këtë arsye, u bëjmë thirrje institucioneve publike në të gjithë rajonin që të forcojnë transparencën në proceset e vendimmarrjes, të garantojnë qasje efektive në dokumentet dhe informacionet publike, si dhe të publikojnë në mënyrë proaktive të dhëna në formate të hapura, të strukturuara dhe të ripërdorshme, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron transformimi digjital.
Integriteti në financimin politik është një shtyllë themelore e qeverisjes demokratike dhe një mekanizëm i rëndësishëm mbrojtës kundër ndikimit të padrejtë. Financimi i partive politike dhe i fushatave zgjedhore duhet të jetë transparent dhe t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së pavarur dhe efektive.
Po ashtu, transparenca përgjatë gjithë ciklit të prokurimit publik, publikimi i plotë i informacionit dhe dokumentacionit të prokurimit, si dhe mbikëqyrja efektive institucionale dhe qytetare duhet të bëhen standarde të përbashkëta në të gjithë rajonin. Sistemet transparente dhe llogaridhënëse të prokurimit publik janë thelbësore për sigurimin e përdorimit efikas të parasë publike, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe forcimin e besimit në institucionet publike.
Në të njëjtën kohë, qeverisja demokratike e qëndrueshme nuk mbështetet vetëm në institucione llogaridhënëse, por edhe në qytetarë të informuar, të fuqizuar dhe të angazhuar në mënyrë aktive. Qeveritë duhet të krijojnë mekanizma kuptimplotë për konsultim publik dhe pjesëmarrje qytetare, duke njohur organizatat e shoqërisë civile, mediat e pavarura, komunitetin akademik dhe qytetarët si partnerë të domosdoshëm në hartimin e politikave publike, monitorimin e performancës institucionale dhe promovimin e integritetit.
Për më tepër, transparenca, integriteti dhe llogaridhënia nuk janë vetëm parime të qeverisjes së mirë, por edhe elemente themelore të procesit të integrimit evropian. Përparimi i vazhdueshëm në këto fusha është thelbësor për forcimin e sundimit të ligjit, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe afrimin e vendeve të rajonit me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.
Prandaj, mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë në promovimin e reformave që fuqizojnë transparencën, integritetin dhe pjesëmarrjen qytetare.
Këto sfida nuk njohin kufij kombëtarë. Për këtë arsye, ne mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, monitorimit të pavarur, shkëmbimit të njohurive dhe avokimit të përbashkët. U bëjmë thirrje qeverive kombëtare dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që transparencën, integritetin dhe llogaridhënien t’i trajtojnë si prioritete politike, jo vetëm si angazhime reformuese, por si parakushte thelbësore për një qeverisje demokratike më të fortë, një besim më të lartë publik dhe një të ardhme evropiane të besueshme për shoqëritë tona.
Organizatat Nënshkruese