DnV: 165 vendvotime hapen me vonese

11.06.2017

Hapja e vendvotimeve dhe materialet zgjedhore
Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2490 vendvotime. Në bazë të raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, me vonesë janë hapur 165 vendvotime (VV). 
 Mungesa e materialeve sensitive janë regjistruar në 1.5% të VV-ve.

Materiali propagandues zgjedhor:
Edhe pse sipas ligjit (LPZ, neni 85) materiali propagandues zgjedhor është dashur të largohet brenda dhe rreth Qendrave të Votimit në rreze prej 100 metrave, ato janë hasur në në afërsi të 3.4% të QV-ve përkatësisht:
Në qendrën e votimit numër 1927E, (Shkolla Shkëndija” në Prishtinë është vërejtur material propagandistik në afërsi të shkollës, shkelja është paraqitur para PZAP-së nga DnV.

Qasja e personave me aftësi të kufizuar në votim:
Është raportuar se 44.7% e vendvotimeve, nuk kanë siguruar qasje për personat me aftësi të kufizuara.

Mbarëvajtja dhe siguria e procesit të votimit:
Prania e personave të paautorizuar është vënë re në 68.3% të vendvotimeve. 
 Disa nga rastet në Qendra Votimi/Vendvotime: 
• 2004A/05R (Shkolla ”Motrat Qiriazi”) në Prizren deri në ora 08:00 një person i pa autorizuar ka qëndruar në vendvotim. Pas kësaj ore është larguar. 
• 1925E/02R (Shkolla “Meto Bajraktari”) në Prishtinë, një person i paautorizuar ka qëndruar në vendvotim. Personi i njëjtë është lejuar të qëndroj edhe më tutje me vendim të KKZ por vendimi nuk është prezantuar.
• 1918E/03R (Shkolla “Gjin Gazulli”) në Prishtinë, është raportuar për prani të militantëve nga dy koalicionet (përkatësisht: koalicioni LDK-AKR dhe nga koalicioni PDK-AAK-NISMA) të cilët janë prezantuar fillimisht si vëzhgues e më pastaj janë larguar nga qendra e votimit nga drejtoresha e shkollës. 
• 2008R/02R (Shkolla “Luciano Matroni”) në Prizren, një personi i është lejuar të votoj edhe pse në gishtërinjtë e tij është vërejtur ngjyrë (sprej). 
• 1922E/05R (Shkolla “Emin Duraku”) në Prishtinë, një përfaqësues i paautorizuar po qëndron brenda në vendvotim pa akreditim.

Nuk raportuar për ndonjë incident për të cilin ka pasur nevojë për ndërhyrje të policisë.

DnV do të vëzhgojë procesin zgjedhor gjatë gjithë ditës deri në përfundim të procesit të numërimit dhe rezultateve. Informatat nga terreni do të jenë të disponueshme për publikun në kohë reale.
DnV iu bën thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve të partive politike dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor të jenë të përkushtuar për të përmbushur obligimet e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. DnV ju rikujton se çdo shkelje gjatë ditës së votimit, procesit të numërimit dhe në përgjithësi gjatë tërë procesit zgjedhor është i dënueshëm deri në 5 vite burgim. 
***
Demokracia në Veprim (DnV), koalicioni më i madh vendor i organizatave jo qeveritare për vëzhgimin e zgjedhjeve, sot po vëzhgon procesin zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në tërë territorin e Kosovës. DnV ka angazhuar 2500 vëzhgues të akredituar për të vëzhguar nga afër mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në secilin vendvotim në Kosovë, ndërsa 100 ekipe mobile, 150 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe dhjetëra staf shtesë janë vënë në mbështetje të këtij kontingjenti.
Vëzhguesit e DnV-së do të vëzhgojnë hapjen e vendvotimeve, procesin e votimit, mbylljen e vendvotimeve si dhe procesin e numërimit.