sq - en

Sondazhi i KDI-së: 77.6% e qytetarëve kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë

Konferenca për media 28.09.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot  konferencë për media, në të cilën janë  paraqitur rezultatet e sondazhit të shtatë të opinionin publik, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Periudha e anketimit ka qenë 05 – 13 shtator 2018.

Jeta Krasniqi nga KDI gjatë prezantimit të të dhënave, bëri të ditur se pyetjet e këtij sondazhi lidhen me zhvillimet e fundit rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi, rreth rolit të Presidentit dhe opozitës, rreth opsionit të shkëmbimit të kufinjve në mes palëve si pjesë të një marrëveshjeje eventuale dhe veprimeve të tyre dhe alternativën më të pranueshme të qytetarëve në mes një asocacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive dhe ndryshimit të kufinjëve të Kosovës.

Krasniqi ka bërë të ditur se qytetarët janë pyetur se sa janë të kënaqur me kahjen që Presidenti Thaçi, po i jep procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Janë 75.1% e qytetarëve të cilët janë shprehur të pakënaqur me kahjen që Presidenti Thaçi po i jep dialogut Kosovë-Serbi, përkundrejt vetëm 20% e tyre janë shprehur të kënaqur më këtë proces.

Sa i përket qëndrimit të qytetarëve nëse do të pranonin shkëmbimin e territorit në mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë të një marrëveshjeje potenciale, një përqindje mjaftë e lartë prej 77.6% të respodentëve kanë thënë se e kundërshtojnë këtë ide. Shikuar sipas përkatësisë etnike, 80.3% e respondentëve nga komuniteti shqiptarë, 38.4% e respondentëve nga komuniteti serb si dhe 62% e respondentëve nga komunitetet e tjera, janë shprehur se nuk do të pranonin shkëmbimin të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë të marrëveshjeje eventuale në mes palëve.

“Duke konsideruar opsionet e diskutuara aktualisht si alternativa të mundshme për një marrëveshje eventuale në mes palëve. Në pyetjes se cilën nga dy alternativat e mundshme qytetarët do të pranonin përkatësisht ndryshim të kufijve të Kosovës apo asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetencë ekzekutive. Shumica dërmuese e respondentëve përkatësisht 82.9% janë shprehur se nuk do të pranonin asnjë alternativë, ndërsa 10.5% e tyre do të preferonin më shumë ndryshim të kufinjve sesa asociacion të komunave me shumicë serbe për të cilën 6.6% e qytetarëve kanë shprehur mbështetje” , ka thënë Krasniqi.

Ajo ka shtuar se vlen të theksohet që alternativa më e preferuar për respondentët e komunitetit serb është asociacioni i komunave me shumicë serbe me 57%, ndërsa për komunitetin shqiptar dhe të tjerët ndryshimi i kufijve si preferencë pas asnjërit opsion.

Sa i përket pyetjes se çfarë veprimi qytetar do të ndërmerrnin nëse presidentët Thaçi-Vuçiq arrijnë marrëveshjen për shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë në baza etnike, rezultatet nxjerrin në pah se 51.5% e qytetarëve do të protestonin kundër kësaj marrëveshje. Janë 20% e qytetarëve të cilët janë shprehur se do të kërkonin referendum dhe 9% e tyre do të pajtoheshin me këtë marrëveshje.

Krasniqi bëri të ditur se në pyetjen rreth kënaqëshmërisë së qytetarëve me rolin që partitë opozitare po luajnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi,  65.6% e respondentëve janë shprehur të pakënaqur përkundrejt vetëm 29% të cilët kanë thënë se janë të kënaqur me rolin që partitë opozitare po luajnë në këtë proces.

Rezultatet mund t’i shkarkoni këtu.

Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar në kuadër të projektit , “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.