sq - en

Transparenca dhe Kundër Korrupsioni

Praktikat e vazhdueshme korruptive në sektorin publik e privat në Kosovë dhe impotenca e sistemit funksional juridik për të luftuar këtë dukuri përbëjnë titujt kryesorë të raporteve dhe vlerësimeve vendore e ndërkombëtare tash e sa kohë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar praktikisht vazhdojnë të bashkëjetojnë në të gjitha nivelet e organizimit të shtetit dhe në përcepcionin publik, ndërsa luftohen me retorikë dhe integritet deficitar të subjekteve politike.

Përpjekjet për t’a parandaluar dhe luftuar korrupsionin në mënyrë efikase varen para se gjithash nga vullneti politik për të krijuar bazën ligjore dhe mekanizmat adekuat. Dispozitat ligjore ekzistuese nuk janë të mjaftueshme: shumë ligje ende mungojnë, të tjera kanë mangësi ndërsa institucionet që garantojnë sundimin e ligjit e në veçanti gjyqësori nuk disponon me kapacitete dhe resurse të mjaftueshme.

Duke u bazuar në parimet e shoqërisë demokratike dhe sundimit të ligjit, Programi për Transparencë dhe Kundër-korrupsion (TKK) synon të ndikojë në promovimin e një kulture kundër-korrupsion dhe në krijimin e një ambienti ku dominojnë institucionet me integritet të lartë, e të cilat do të jenë në gjendje të ndërmarrin masa efikase për çrrënjosjen e praktikave korruptive, si në organizatat publike ashtu edhe në ato private.

KDI si anëtare zyrtare e lëvizjes globale kundër korrupsion, Transparency International, përmes programit të TKK, angazhohet për një Kosovë ku qeveria, bizneset, shoqëria civile dhe jeta e përditshme e qytetarëve janë të lira nga korrupsioni. Ky angazhim gjatë 11 viteve të kaluara është realizuar përmes monitorimit, analizave dhe hulumtimeve kualitative, avokimit për ndryshim të ligjeve dhe praktikave të zbatimit të tyre, përkrahje të drejtpërdrejtë të viktimave të korrupsionit, shtytjes për hapje të pushtetit drejt transparencës dhe bashkëpunimit me institucionet e ndjekjes.

Stafi

Diana Metushi-Krasniqi  Menaxhere e projektit
Arben Kelmendi Menaxher i projektit
Florent Spahija Zyrtar ligjor
Majlinda Kurti Koordinatore e projektit
Blerim Gjoni Hulumtues i lartë
Fjolla Uka Hulumtuese
Elira Tahiri Zyrtare për Avokim
Liridona Behrami Hulumtuese