KDI përkrahë zhvillimin e demokracisë
përmes angazhimit të qytetarëve dhe OJQ-ve
në procesin e krijimit të politikave,
rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Logo e TI

Demokratizimi dhe Praktikat Parlamentare

30-12-2015 - Prishtinë

Kuvendi joefektiv në vitin 2015

Facebook  Twitter

Konferenca e fundit e KDI-së iu dedikua vlerësimit të punës së Kuvendit për vitin 2015. Ky vit u karakterizua me polarizime të skajshme ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë, që rezultuan me krizën më të madhe politike në vend. Kundërshtimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicës serbe dhe Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kanë qenë pikat kulmore të kësaj përplasje. Për me tepër lexoni komunikatën e plotë.

Sesioni pranveror

Tremujori i parë i punës së Kuvendit është shoqëruar me dinamikë jashtëzakonisht të ulët të punës, me vetëm një projektligj të miratuar, atë për buxhetin e shtetit. Në tremujorin e parë Qeveria nuk kishte sjellë fare në Kuvend Agjendën Legjislative. Agjencitë e Pavarura dhe Ndërmarrjet Publike nuk kanë qenë të kompletuar me anëtarët e tyre në organet udhëheqëse. Për afër tre muaj (nga data 3 shkurt deri më 27 prill), të gjitha punimet e Kuvendit janë bojkotuar nga deputetët e “Listës Serbe”, si shenjë kundërshtimi ndaj Qeverisë për shkarkimin e shefit të tyre Aleksandër Jabllanoviç nga pozita e ministrit për Komunitete dhe për Kthim. Në pjesën e dytë të sesionit pranveror, Kuvendi ka pasur intensitet më të madh të punës pasi që kishte arritur të miratoi në lexim të dytë 16 projektligje. Urgjenca e Qeverisë së Kosovës për të proceduar projektligje me procedurë të përshpejtuar ka qenë e shpeshtë në Kuvend. Përveç në rastin e miratimit të buxhetit, procedura të përshpejtuara janë ndjekur edhe me rastin e rishikimit të buxhetit dhe dy ligjeve tjera të dala nga themelimi i Gjykatës Speciale. Jashtë praktikave parlamentare janë rikthyer në Kuvend për miratim edhe amandamentet që mundësojnë themelimin e kësaj gjykate, pasi Kuvendi kishte votuar një herë kundër tyre.

Sesionin vjeshtor

Mungesa e transparencës së Qeverisë ndaj Kuvendit në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e ZI, pati për pasojë bllokimin e jetës parlamentare përgjatë gjithë sesionit vjeshtor (22 shtator – 17 dhjetor). Deputetët opozitarë kanë penguar mbajtjen e seancave plenare me përdorimin e gazit lotsjellës në ambientet e brendshme të Kuvendit. Për dallim, seancat solemne dhe ajo për ratifikimin e marrëveshjes për MSA-në nuk janë penguar. Mbledhjet e komisioneve parlamentare janë bojkotuar nga anëtarët e opozitës. Kjo periudhë ka qenë ndër më të rëndat e parlamentarizmit në Kosovë dhe seriozisht ka sfiduar funksionalitetin institucional. Prania e policisë në Kuvend dhe në sallën plenare, ishte jashtë parametrave të parë deri më sot. Kontrollet e shtuara në hyrje të Kuvendit nuk arritën të parandalojnë futjen e gazit lotsjellës në ambientet e brendshme, gjë që përbën dështim të institucioneve të sigurisë. 

Improvizimi i një salle në katin e sipërm të ndërtesës së Kuvendit, është shfrytëzuar si zgjidhje e përkohshme për të vazhduar seancat plenare. Kjo sallë përdorej vetëm pas shqiptimit të masës së largimit kolektiv të deputetëve të opozitës, dhe pengimit fizik të deputetëve për të hyrë në këtë sallë. Meqenëse përdorimi i gazit lotsjellës nga persona të paautorizuar cilësohet si vepër penale, dhe deputetët sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese bartin vetëm imunitet funksional, prokuroria ka urdhëruar arrestimin e deputetëve. Deri në përmbyllje të punës së Kuvendit, bilanci i arrestimeve, shoqërimeve në polici, paraburgimeve dhe masës së arrestit shtëpiak kishte arritur në 13 deputetë opozitar, masa këto të ndryshme për vepra të njëjta.   

Këtë vit nuk kanë munguar as incidentet. Sigurimi i Kuvendit kishte penguar liderët e opozitës që të hyjnë në hapësirat e Kuvendit për të mbajtur konferencë për media, veprim ky në kundërshtim të plotë me Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit. Në anën tjetër, opozita nuk ka respektuar Rregulloren për Qasjen e Mediave dhe Publikut në Punën e Kuvendit të Kosovës, duke shmangur Zyrën për Media dhe Marrëdhënie me Publikun.    

Kryesia e Kuvendit ka taktizuar për të siguruar mbajtjen e seancave plenare. Seanca e fundit është shoqëruar me shkelje serioze, që përfshinë ndalimin e deputetëve opozitarë që të marrin pjesë në vazhdimin e seancës plenare, përkundër që masa e largimit është në fuqi vetëm për punimet e asaj dite. Plotësimi i anëtarëve të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit me tetë anëtarë është bërë në mënyrë të kundërligjshme pasi është bazuar në ligin i cili nuk kishte hyrë ende në fuqi.

Përmbushja e agjendës legjislative

Kuvendi gjatë vitit 2015 ka miratuar 47 projektligje (34%) nga gjithsej 138 të parapara për këtë vit. Nga ligjet e miratuara, 13 kanë qenë ligje të sjella për plotësim nga Qeveria. Në procedurë të komisioneve parlamentare kanë mbetur në shqyrtim edhe 24 projektligje (17%), kurse 67 projektligje tjera (49%) nuk janë iniciuar fare. Nga projektligjet e miratuara, më së shumti janë në sektorin e financave, pastaj drejtësisë dhe sigurisë, që janë edhe tregues se për institucionet qendrore këta tre sektorë kanë qenë më me prioritet. Përveç përmbushjes së ulët të agjendës legjislative, projektligjet e miratuara përgjatë sesionit vjeshtor janë bërë pa debat të mirëfilltë parlamentarë, disa prej tyre me procedura të përshpejtuar dhe pa pjesëmarrje të opozitës.

Mbikëqyrja parlamentare

Kuvendi ka pasur performancë të dobët edhe në ushtrimin e rolit të vet mbikëqyrës. Janë mbajtur vetëm tri interpelanca (dy për kryeministrin Mustafa dhe një për zëvendëskryeministrin Thaçi). Pyetjet parlamentare si një instrument tjetër mbikëqyrës ndaj ekzekutivit kanë qenë të pakta. Në total janë parashtruar 216 pyetje prej të cilave vetëm 68% kanë marrë përgjigje nga kabineti qeveritar. Nga subjektet politike VV ka parashtruar më së shumti pyetje (78), pasur nga PDK (52), AAK (44), LDK (24) dhe NPK (13). Më së shumti pyetje parlamentare janë parashtruar në sektorin e shëndetësisë (43), arsimit (25) dhe çështjeve sociale (21), kurse sektorët në të cilët nuk ka pasur asnjë pyetje parlamentare janë media, shërbime publike dhe pylltari. Për vitin 2015, Kuvendi ka planifikuar të mbikëqyrë zbatimin e 29 ligjeve, kurse deri në fund të vitit ka arritur të mbikëqyrë zbatimin e 23 ligjeve. Pikë e dobët e Kuvendit në ushtrimin e mbikëqyrjes parlamentare është ajo e 34 Agjencive të pavarura, institucione këto të themeluara nga Kuvendi ndaj të cilit duhet të jenë llogaridhënës. Në fillim të vitit ka pasur neglizhencë nga ana e Qeverisë për të propozuar anëtarët e bordeve udhëheqëse të këtyre agjencive, kurse në pjesën e dytë të vitit është vazhduar me politizim të bordeve të agjencive të pavarura.

Seancat dhe Komisionet parlamentare

Për një vit Kuvendi ka arritur të mbajë gjithsej 30 seanca plenare (20 janë vazhduar në ditën tjetër), 4 seanca solemne, 5 seanca të jashtëzakonshme dhe 5 seanca të veçanta. Puna në komisione parlamentare, si trupa ndihmëse të Kuvendit, është tejet e rëndësishme për efikasitetin e përgjithshëm të institucionit. Gjatë vitit 2015, katërmbëdhjetë komisionet e Kuvendit kanë mbajtur gjithsej 406 mbledhje të rregullta dhe 35 dëgjime publike, 8 prej të cilave në bashkë organizim me partnerë të jashtëm. Në sesionin vjeshtor, pas bojkotimi të komisioneve parlamentare nga përfaqësuesit e opozitës, mbledhjet janë zhvilluar vetëm me praninë e deputetëve të partive në pushtet. Mungesa e opozitës ka bërë që raportimi i ministrave nëpër komisione të jetë shumë sipërfaqësor dhe kanë kaluar të pa u sfiduar, si në raportimet e tyre të punës ashtu edhe ato financiare.  

Lojaliteti ndaj grupit parlamentar

Këtë vit, KDI ka lansuar platformën Vota Ime që ofron informata të shumta të monitorimit të Kuvendit. Risi e kësaj platforme ka qenë matja e lojalitetit të deputetëve ndaj grupeve të tyre parlamentare, që bëhet duke i krahasuar votimet e deputetëve me qëndrimet e grupeve të tyre parlamentare. Nga ky vlerësim, del se 68 nga 116 deputetë anëtar të grupeve parlamentare (nuk përfshihen deputetë e pavarur) janë mbi 95% lojal ndaj grupit parlamentar. Me këtë mund të vijmë në konstatimin se deputetë nuk janë shumë të pavarur në ushtrimin e mandatit të tyre, dhe se grupet parlamentare kanë ndikim të theksuar në vendimet që ata marrin në Kuvend.

Hulumtimet parlamentare

 

Gjatë vitit 2015, KDI ka ofruar asistencë për komisionet parlamentare në procesin ligjbërës. Janë kontraktuar 20 hulumtime parlamentare për nevoja të komisioneve, 17 prej të cilave i janë dorëzuar Kuvendit kurse 3 prej tyre janë në proces të hartimit. Komisionet të cilat kanë kërkuar më së shumti hulumtime parlamentare janë: Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, dhe Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.

<< Kthehuni mbrapa




LAJMËRO
KORRUPSIONIN

TEL

0800 77777


Thirrjet janë pa pagesë,
të besueshme dhe konfidenciale.


DATABAZA PËR HULUMTIME
    PARLAMENTARE

Regjitrohu këtu


Ngjarjet e fundit

Ngjarje tjera: (16)...


KDI në media


Newsletter






Publikimet tjera: (2)...


WEB FAQE PËR PROGRAME DHE RRJETËZIME





Copyright 2005 - 2017 © Kosova Democratic Institute - All Rights Reserved