KDI përkrahë zhvillimin e demokracisë
përmes angazhimit të qytetarëve dhe OJQ-ve
në procesin e krijimit të politikave,
rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Logo e TI

Demokratizimi dhe Praktikat Parlamentare

04-10-2017 - Mitrovice e Veriut

Diskutohet per dialogun ne Mitrovice te Veriut: shqiptaret dhe serbet kerkojne te perfshihen ne dialogun Kosove-Serbi

Facebook  Twitter

KDI në bashkëpunim me Qendrën e Avokimit për Kulturën Demokratike (ACDC), mbajti sot tryezën e diskutimit “Dialogu Kosovë-Serbi në rajonin e Mitrovicës”,  në Mitrovicën e Veriut.  Në këtë tryezë u diskutua rreth ndikimit të marrëveshjeve të dialogut në jetën e qytetarëve të rajonit të Mitrovicës dhe pritshmërive të tyre për të ardhmen e këtij procesi.  

 
Pjesë e panelit diskutues ishte deputeti i Kuvendit të Kosovës z. Ilir Deda, gazetari dhe analisti z. Bransilav Krstic, gazetari z. Nexhmedin Spahiu dhe Dusan Radakovic nga ACDC.
 
Në hapje të këtij debati Jeta Krasniqi nga KDI, ka theksuar se dialogu Kosovë-Serbi  ka qenë një proces jo transparent dhe i largët nga qytetarët, pa artikuluar qartë ndikimin te jetën e tyre. Ajo tha se qëllimi i kësaj tryeze është për të dialoguar bashkë shqiptar dhe serb pa ndërmejtësues, për të folur rreth perspektivës së dialogut dhe impaktit në marrëdhëniet ndëretnike dhe për të artikuluar qëndrimin dhe pritshmëritë e qytetarëve rreth dialogut Kosovë-Serbi.
 
Ilir Deda, deputet i Kuvendit të Kosovës, nënvizoi mungesën e transparencës e cila e ka karakterizuar dialogun e Brukselit në këto shtatë vite.  Sipas Dedës, përveç qytetarëve, edhe Kuvendi i cili e mbikëqyr punën e qeverisë,  ka qenë në masë të madhe i painformuar lidhur me procesin e dialogut.
 
Lidhur me të ardhmen e dialogut, Deda theksoi se ekzistojnë dy skenarë të mundshëm rreth së ardhmes së dialogut. Ai vlerësoi se njëri skenar do të dëshmonte se ekziston konsensusi politik në Prishtinë dhe që pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë do të shuheshin antagonizmat ndërmjet dy vendeve. Ai shtoi se ky skenar do të mundësonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare përfshirë Kombet e Bashkuara, duke zëvendësuar Rezolutën aktuale (1244) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me një rezolutë të re.  
 
Ndërsa skenarin tjetër deputeti Deda e cilësoi si të keq i cili, sipas tij e gjen Kosovën të ndarë politikisht duke hyrë në fazën përfundimtare e ndarë dhe pa konsensus. Në këto kushte ka thënë se marrëveshja nuk do tu vinte pikë antagonizmave dhe kundërthënieve me Serbinë gjë e cila  do të pamundësonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshire OKB-në.
 
Branislav Krstic, gazetar dhe analist, vlerësoi se mungesa e transparencës, e informacioneve, apo çfarë diskutohet nga të dyja palët ka qenë një ndër problemet kyçe të dialogut Kosovë-Serbi. Krstic u shpreh i zhgënjyer nga rezultatet e dialogut duke thënë se përveç shpërbërjes së pak strukturave paralele, dialogu nuk ka sjell rezultate pozitive. Krstic u shpreh po ashtu skeptik në lidhje me fazën e re të dialogut duke theksuar se edhe kjo fazë do të jetë e gjatë dhe rezultati përfundimtare do të jetë i pakënaqshëm si për shqiptarët ashtu edhe për serbët.
 
Nexhmedin Spahiu, gazetar, tha se bisedimet ne Burksel kanë sjellë rezultate të pakta. Përveç problemeve të zakonshme të cilat janë të pranishme në të gjithë Kosovën, Mitrovica përballet edhe me problem shtesë meqë shihet si çelësi i përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.  Spahiu theksoi se është e nevojshme që bisedimet të zhvillohen në nivel lokal dhe në vend të Brukselit, vend takimi të jetë Mitrovica.  Lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura, Spahiu theksoi se marrëveshjet nuk janë zbatuar në masë të madhe dhe edhe ato të cilat janë në zbatim e sipër kanë sjellë problem për qytetarët e këtij rajoni. Për fazën e re të dialogut, Spahiu u shpreh skeptik se ky proces do të përmbyllet me njohje të dyanshme.
 
Ndërkohë, Dusan Radakovic, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Avokimi për Kulturë Demokratike nënvizoi rëndësinë që qytetarët të jenë të informuar në lidhje me atë se çfarë po diskutohet në dialog. Radakovic theksoi se është e rëndësishme që bisedimet të zbresin në nivel lokal ngase bisedimet në nivele të larta nuk kanë trajtuar problemet reale të banorëve të këtij rajoni. 
 
Pjesëmarrësit diskutuan me panelistët ku u theksua nevoja e përfshirjes së nivelit lokal dhe konsultimeve publike rreth së ardhmes së dialogut duke nënvizuar nevojën e rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes direkte të qytetarëve gjatë procesit të përcaktimit të temave dhe gjatë procesit të negociimit të marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi.
 
Ky debat u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.

<< Kthehuni mbrapa




LAJMËRO
KORRUPSIONIN

TEL

0800 77777


Thirrjet janë pa pagesë,
të besueshme dhe konfidenciale.


DATABAZA PËR HULUMTIME
    PARLAMENTARE

Regjitrohu këtu


Ngjarjet e fundit

Ngjarje tjera: (15)...


KDI në media


Newsletter






Publikimet tjera: (2)...


WEB FAQE PËR PROGRAME DHE RRJETËZIME





Copyright 2005 - 2017 © Kosova Democratic Institute - All Rights Reserved