KDI përkrahë zhvillimin e demokracisë
përmes angazhimit të qytetarëve dhe OJQ-ve
në procesin e krijimit të politikave,
rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Logo e TI

Demokratizimi dhe Praktikat Parlamentare

15-07-2015 - Prishtinë

Koalicioni i madh në numra, por pa fuqi vendimmarrëse

Facebook  Twitter

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë vlerësimin e punës së Kuvendit për shtatë mujorin e parë të këtij viti, edhe pse ky  mund të konsiderohet edhe si vlerësim një vjeçar i punës pasi psesë muajt e parë të kësaj legjislature  ishin jofunksional si shkak i ngërçit politik. Ky vlerësim bazohet në efektshmërinë e punës së Kuvendit dhe transparencën e këtij institucioni.

Koalicioni i “madh” në numra. Fundi i ngërçit politik rezultoi me arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës  mes dy subjekteve më të mëdha politike në vend PDK dhe LDK, përfshirë edhe subjektet politike nga radhët e komuniteteve jo-shumicë. Ky koalicion qeverisës përkundër që në Kuvend numerikisht ka një shumicë të kualifikuar me mbi 85 deputet, megjithatë duket se kjo vlerë numerike nuk po reflekton edhe në fuqinë politike për të marrë vendime të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës. Në rastin e parë kur ky koalicion u sfidua, ai dështoj që të siguroj 2/3 e nevojshme për të votuar ndryshimet kushtetuese. 

Dinamika e miratimit të ligjeve: Gjatë këtij sesioni pranveror, Kuvendi kishte paraparë miratimin e 55 projekt-ligjeve, ndërkohë që Qeveria i ka sjell dhe 8 projekt-ligje tjera që nuk ishin paraparë me agjendën legjislative. Më shumë se gjysma e këtyre 63 projekt-ligjet ishin plotësim dhe ndryshim i ligjeve ekzistuese (35 prej tyre).

Rreth 65% e projekt-ligjeve të parapara janë proceduar për miratim në Kuvend. Mirëpo deri në këtë fazë, në të dy leximet janë miratuar vetëm 16 ligje apo më pak se një e katërta e projektligjeve (një, ai për përgjime ishte refuzuar dhe pastaj rikthyer për miratim). Rreth 40% (apo 25 projekt-ligje) janë në procedurë të shqyrtimit brenda komisioneve parlamentare.

Vlen të theksohet se për dallim nga muajt e parë të këtij viti, së fundi vërehet një dinamikë më e shtuar e punës së Kuvendit të Kosovës në kontekstin e ligjbërjes dhe kompletimit të bordeve të Agjencive të Pavarura.

Nguti në Miratim të Buxhetit të Shtetit për 2015: Ngutia në aprovim të një dokumenti kaq të rëndësishëm siç është buxheti i shtetit, kanë përcjellë Kuvendin në të dy rastet: edhe atëherë kur u miratua si i tillë në fund të vitit të kaluar, por edhe tani në periudhën e rishikimit. Ky proces është karakterizuar me shmangie të rregullores së Kuvendit ndërsa ngutia e rishikimit është rezultat edhe i kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo praktikë po e lë institucion më përfaqësues në vend me shumë pak fuqi për të shqyrtuar buxhetin, ndërsa ka prodhuar edhe shume ankesa nga deputetët që lidhen me pamundësinë për t’a ekzaminuar dhe diskutuar më detajisht përmbajtjen dhe ndryshimet në buxhetin e shtetit.

Pyetjet parlamentare: Nga 218 pyetje sa janë parashtruar nga deputetët e Kuvendit për Ministrat e Qeverisë, vetëm në 48% prej tyre është marrë përgjigje nga ministrat përkatës. Më së shumti pyetje parlamentare i janë adresuar sektorit të Shëndetësisë, përkatësisht Ministrit Imet Rrahmani. Ky i fundit u është përgjigjur 22 nga 38 pyetjeve të drejtuara në adresë të tij.

Shmangiet e shpeshta nga Rregullorja e Kuvendit: Urgjenca e Qeverisë së Kosovës për të proceduar projekt-ligje me procedurë të përshpejtuar është shpeshtuar. Kjo praktikë jo e mirë parlamentare e shmangies së Rregullores së Kuvendit, ka filluar të instalohet si kulturë e shpeshtë në Kuvendin e Kosovës. Miratimi i ligjeve me procedurë të përshpejtuar (duke shmangur Rregulloren) po pengon shqyrtimin e mirëfilltë të legjislacionit dhe në fund po rezulton me ligje dhe dokumente me defekte të mëdha në përmbajtjen e tyre dhe në disa raste dhe të pa zbatueshme në praktikë.

Mos kompletimi i bordeve të Agjencive të Pavarura: Neglizhenca e Qeverisë së Kosovës në propozimin e anëtarëve të bordeve udhëheqëse të Agjencive për t’i bërë këto struktura funksionale mbetet sfidë edhe më tej. Në anën tjetër, mungon edhe presioni nga Kuvendi për t’a bërë këtë çështje më urgjente.  Me gjithë dinamikën e shtuar të Kuvendit në kontekstin e plotësimit të bordeve, mbesin edhe 6 Agjenci me borde të pakompletuara, dy prej të cilave nuk kanë fare borde si pasojë e skadimit të mandateve apo edhe mos konstituimit që nga koha e themelimit. Mos kompletimi i organeve udhëheqëse ka ndikuar që të ketë mungesë kuorumi për marrjen e vendimeve, gjë që i ka vënë pothuajse jashtë funksionit këto institucione.

Mos miratimi i Rregullores së Kuvendit: Përkundër që puna për miratimin e një Rregulloreje të re të punës së Kuvendit të Kosovës kishte filluar në fillim të legjislaturës së kaluar, ky institucion akoma nuk po arrin që të miratoj dokumentin më bazik që përcakton mënyrën e funksionimit të Kuvendit të Kosovës. Miratimi i këtij dokumenti është një detyrim për evitimin e shumë paqartësive normative që Kuvendi ka hasur gjatë punës së tij.

 

Transparenca

E-parlamenti: Edhe pse janë marrë disa hapa të rëndësishëm në drejtim të transparencës së Kuvendit, E-parlamenti (apo parlamenti elektronik) ka ngecur si pasojë e heqjes së buxhetit këtë vit për këtë projekt. Kuvendi ka punuar që tre vite për të përgatitur zbatimin e E-parlamentit, kurse këtë vit edhe pse projekti ishte në fazën përfundimtare për të nisur zbatimin, Kuvendi dhe Qeveria vendosën që të heqin nga  buxheti linjën e paraparë për këtë projekt tejet të rëndësishëm për efektshmerinë e punës së Kuvendit dhe transparencën e këtij institucioni.

Mos transparenca e dialogut me Serbinë: Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen plenare të mbajtur më 10 mars 2011, kishte miratuar Rezolutë të veçantë (Nr. 04-R-001) për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, por rrjedha e këtij procesi ka marrë dimensione të cilat shkelin këtë Rezolutë, si dhe të drejtën e përfaqësuesve të popullit për të qenë të informuar dhe për të debatuar rreth këtij procesit.

Pika 6 e kësaj Rezolute ka përcaktuar kërkesën që: I/e emëruari nga Kryeministri udhëheqës i delegacionit të Republikës së Kosovës për dialogun me Republikën e Serbisë do të informojë në baza të rregullta Komisionin për Politikë të Jashtme dhe komisionet tjera përkatëse të Kuvendit të Kosovës dhe do të raportoj, edhe në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.  

Përkundër këtyre obligimeve që dalin nga Rezoluta, Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë i vendit mbetet i fundit sa i  përket informimit për marrëveshjet e arritura. Si rezultat, shpesh krijohen paqartësi dhe mungon vlerësimi zyrtar sa mbi zbatimin e këtyre marrëveshjeve në praktikë.

Qeveria e Kosovës duhet të respektoj Rezolutën në tërësinë e saj, ku pas çdo takimi në nivel të kryeministrave në Bruksel të raportojë para Kuvendit i cili duhet të përfshihet në debat demokratik për pasojat eventuale politike dhe juridike të të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe ato që priten të nënshkruhen në të ardhmen.

Zhvillime Pozitive

·         Ngritja e dinamikës së punës së Kuvendit

·         Themelimi i grupit punues për Transparencë Parlamentare dhe Bashkëpunim me Shoqëri Civile;

·         Kërkesat për Hulumtime Parlamentare janë rritur për t’i shërbyer një vendim-marrje bazuar në informata paraprake;

·         Mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit të qasshme për publikun

 

·         Publikimi i raporteve të shpenzimeve të Kuvendit edhe pse jo në format të detajuar.

<< Kthehuni mbrapa




LAJMËRO
KORRUPSIONIN

TEL

0800 77777


Thirrjet janë pa pagesë,
të besueshme dhe konfidenciale.


DATABAZA PËR HULUMTIME
    PARLAMENTARE

Regjitrohu këtu


Ngjarjet e fundit

Ngjarje tjera: (16)...


KDI në media


Newsletter






Publikimet tjera: (2)...


WEB FAQE PËR PROGRAME DHE RRJETËZIME





Copyright 2005 - 2017 © Kosova Democratic Institute - All Rights Reserved