KDI përkrahë zhvillimin e demokracisë
përmes angazhimit të qytetarëve dhe OJQ-ve
në procesin e krijimit të politikave,
rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Logo e TI
Facebook  Twitter

Editoriale


Shkruan: Ismet Kryeziu
Botuar në: Koha ditore  
Data : 02-03-2016  

Shteti apo Mëhalla dhe NE

Ne nuk kemi autoritet shtetëror, politik, akademik apo moral   që përfaqëson dhe artikulon mendimet dhe kërkesat tona, sepse ne kemi zgjedhur që të jetojmë dhe të udhëhiqemi si mëhallë

Po dështojmë në të gjitha dimensionet të udhëhiqemi e të krijojmë vlera qytetare, politike, e shtetërore, ndaj vazhdojmë të jemi peng të një mentaliteti fisnor e patriarkal. Vendi i ynë  ditë e më shumë po merr karakterin e një province  gjeografike në glob, por assesi të një shteti me institucione dhe politikbërje në hartat e shteteve.

Përfaqësues shtetëror, udhëheqës politik, akademik, profesor, mjekë, analistë, opinionistë, aktivistë  e gazetar, shtetit po i japin  karakterin e mëhallës duke u  vetëkënaqur me të pasurit  rolë në mëhallë. Po udhëhiqemi nga teoria më mirë i pari në mëhallë se i fundit në shtet. E  më së paku na intereson të kemi shtet.

Shtetin veç e kemi iluzion teorik, për aq sa e dimë ndonjë  definicion çka është shteti. Ne bëhemi se po bëjmë shtet e po bëjmë politikë, por aspak s’besojmë në politikën që bëjmë, e as në shtetin që e udhëheqim. S’po mundë ta tejkalojmë këtë iluzion përtej vlerave dhe karakterit të viteve të 90-ta, kur vetëkënaqeshim me simbolikat e shtetit. Edhe atëherë bënim jetë politike e  shtetërore, shkollë, kulturë, debat, analizë, shëndetësi e gjithçka tjetër. Të njëjtë jemi  dhe sot!

Ne, vetëkënaqemi pse kemi e jemi  presidentë, kryeministër, kryetarë partie në opozitë apo pushtet dhe mjaftohemi  të luajmë rolin. Mjaftueshëm kënaqemi kur t`i mbledhim disa sejmenë prapa vetes dhe paraqesim fuqinë tonë në drejtimin e mëhallës.

Ne zgjedhim president shteti në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve  e të përfaqësuesve politik, këmbejmë votën me ndonjë terminal dhe i shantazhojmë. Nën breshëritë e kallashit festojmë zgjedhjen e presidentit! Paramendojeni një shtet të tillë me vlera demokratike  dhe një president shteti që zgjidhet e kremtohet kësisoj.

Ne fyejmë përfaqësuesit politik, gratë e te gjithë qytetarët, kërcënojmë, linçojmë, shantazhojmë votuesit, përfaqësuesit e zgjedhur  dhe udhëheqim institucionin e  kryeministrisë... Paramendojeni një kryeministër të tillë në një nga shtetet perëndimore.

Ne, kundërshtojmë politikisht dhe gjuajmë gazë lotsjellës në parlament, zgjedhim formën dhe mënyrën se a do t`i bindemi policisë apo ta urdhërojmë atë nga pozita e përfaqësuesit politik. Luajmë  rolin e të paprekshmit përballë shtetit. Paramendojeni një deputet të tillë  në parlamentet e vendeve perëndimore.

Ne gjuajmë institucionet me koktej molotov, thyejmë zyre dhe djegim makina dhe askush se di se kush i bën këto veprime, apo nëse të njëjta i bën dikush tjetër?!  Por, shihet qartazi se bindjet tona politike po i shprehim përmes koktejit të  molotovit, gurëve e djegies se makinave dhe po bëjmë aktivitete politike guerile. Nëse këto veprime kanë mesazhe politike e jo kriminale e viktimizuese,  paramendojeni një angazhim qytetar me veprimet  politike në Evropë.

Ne e luajmë rolin e policit, hetuesit, avokatit e gjyqtarit, bëhemi se po luftojmë krimin e korrupsionin, e vetë jemi të përfshirë e ndërmjetësues në krim e korrupsion.

Ne nuk qesim fare stenda ose qesim pa nevojë, ndaj për pasojë rrezikojmë jetë njerëzish, teksa mjekët protestojnë kundër hetimeve për mitmarrje.

Ne bëjmë universitete e fakultete pa profesorë e pa studentë,  akademi e doktorë shkence pa pas shkencë fare, apo me ndonjë artikull a libër paçavure që s`i lexojmë e kuptojmë vetë, lërë të tjerët.

Ne e luajmë rolin e të gjithëdijshmëve pa ditur as A-në. Jemi ekspertë universal, bëjmë  libra, lajme e analiza pa e ditë kurrë se si bëhet një libër apo analizë... shpalosim ide, të cilat çdo qytetar i Kosovës në secilën familje a kafe t`i artikulon më mirë.

Ne e bëjmë të kulturuarin e artistin, bëjmë filma emisione televizive sikur në kasetat e viteve të 90-ta, keqpërdorim e vjedhim dhe në kulturë e art.

Ne shpikim debate pa asnjë përmbajtje, kush e do Amerikën e perëndimin e kush se do, megjithëse nuk e duam as veten.

Ne i duam Amerikanët e perëndimorët, jo nga frika se po na braktisin, por nga ajo që s’kemi politikan, s’kemi përfaqësues, sepse shumica ka zgjedhur të  udhëhiqet nga   disa njerëz që në perëndim zor do ta bartnin statusin e qytetarit  të përgjegjshëm e le më të burrështetasit apo politikanit.

Ne nuk kemi autoritet shtetëror, politik, akademik apo moral që përfaqëson dhe artikulon mendimet dhe kërkesat tona, sepse ne kemi zgjedhur që të jetojmë dhe të udhëhiqemi si mëhallë.

Pavarësisht se sa larg njihet dhe nga kush merret seriozisht kjo mëhallë dhe të qenit udhëheqës, mjaftohemi me  fuqinë fizike materiale e fisnore dhe  jemi të kënaqur me rolin individual që kemi.

 

Ka edhe më shumë për NE,  por po e përmbyll me thënien e Millard Fillmore, presidentit të XIII të SHBA-ve: ‘’I madhi Zot, shpëtoje vendin tim, sepse po shihet se populli nuk do ta bëjë këtë!’’



<< Kthehuni mbrapa


LAJMËRO
KORRUPSIONIN

TEL

0800 77777


Thirrjet janë pa pagesë,
të besueshme dhe konfidenciale.


DATABAZA PËR HULUMTIME
    PARLAMENTARE

Regjitrohu këtu


Ngjarjet e fundit

Ngjarje tjera: (15)...


KDI në media


Newsletter






Publikimet tjera: (3)...


WEB FAQE PËR PROGRAME DHE RRJETËZIME





Copyright 2005 - 2017 © Kosova Democratic Institute - All Rights Reserved