KDI përkrahë zhvillimin e demokracisë
përmes angazhimit të qytetarëve dhe OJQ-ve
në procesin e krijimit të politikave,
rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Logo e TI

Transparenca dhe Kundër-korrupsioni

08-04-2015 - Prishtinë

Komuna e Prishtinës me sfida në mbikëqyrje të kontratave por me çmime të favorshme

Facebook  Twitter

Raporti analitik i KDI-së me të gjetura, nga monitorimi i tre kontratave për komunën e Prishtinës është prezentuar në treyezen e diskutimit “ Efikasiteti i Komunës së Prishtinës në Prokurimin Publik”. 

Raporti i KDI-së për Komunën ka nxjerr një varg mangësish që kanë të bëjnë me hartimin e dosjeve të tenderit, ku edhe janë gjetur kushte diskriminuese për biznese. Pika më e dobët në prokurimin e Komunës është vlerësuar mbikëqyrja e menaxhimit të kontratave. Po ashtu janë evidentuar raste ku si pasojë e mungesës së mbikëqyrjes së punëve, në rastin e pastrimit të rrugëve dhe trotuareve nga bora, kompanitë janë paguar edhe për punët të cilat nuk janë kryer. Sidoqoftë Komuna është vlerësuar me nota pozitive në përgjithësi, për shkak të efikasitetit që ka pasur në lidhjen e kontratave me çmime të favorshme. Në rastin e Komunës së Prishtinës nuk janë gjetur vërejtjet e zakonshme në çmimet e larta si në komunat e tjera të monitoruara.
Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës ka thënë se mirëpret rekomandimet e shoqërisë civile në lidhje me prokurimin publik. Sidoqoftë ai nuk është pajtuar me disa të gjetura në lidhje me kriteret diskriminuese ndaj bizneseve, pasi që ka konstatuar se për asnjë moment nuk ka pasur mungesë të konkurrencës në këtë Komunë. Ai ka deklaruar se Komuna është në fazën e themelimit të një drejtorie të veçantë e cila do të merret me hartimin e specifikimeve për tender dhe mbikëqyrje të kontratave për të shmangur defektet e vazhdueshme në mbikëqyrjen e tenderëve.
Bekim Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përfaqësues në Kuvendin Komunal, ka thënë se prokurimi në Kosovë në përgjithësi është pikë e zezë, për shkak të lidhjes së ngushtë me korrupsionin. Ai ka konstatuar se në kontratat për të cilat është bërë analiza e tenderëve gjendja është e mirë. Sidoqoftë ai ka parashtruar shumë kritika në lidhje me procedurat e tjera të prokurimit, ku Organi Shqyrtues i Prokurimi (OSHP), ka konstatuar shkelje. Rast i veçantë në të cilin është kritikuar komuna, ka qenë tenderi për sanimin e gropave, i cili është duke u prolonguar në OSHP, për shkak të ankesës së bizneseve.
Kristian Hasanaj nga Iniciativa për Progres (INPO), po ashtu ka thënë se Komuna ka pasur dinamikë të ulët të shpenzimit të parasë publike dhe rrjedhimisht suficit të lartë në shpenzimin e mjeteve financiare. Hasanaj po ashtu ka pasur vërejtje edhe në Ligjin e Prokurimit Publik, i cili nuk ka rregulluar mirë fushën e prokurimit, pasi që u ka dhënë shumë hapësirë bizneseve për të parashtruar ankesa në lidhje me projektet.
Pjesëmarrësit e tjerë në këtë takim kanë pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me efikasitetin e Komunës në prokurimin publik, duke adresuar probleme në ligje, institucione rregullatore dhe të tjera. Po ashtu është kërkuar që të mos aplikohen kritere diskriminuese për bizneset, mirëpo gjithmonë të kihet parasysh cilësia e punëve apo shërbimeve të cilat ofrohen.

Në këtë tryezë diskutimi ishin  pjesëmarrës dhe  përfaqësues të Komunës së Prishtinës,  të subjekteve politike nga Kuvendi i Komunës, si dhe përfaqësues nga organizata që monitorojnë punën e Komunës së Prishtinës.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) degë e Transparency International (TI) për Kosovë, për projektin e zhvilluar është mbështetur nga Zyra e Ambasadës Angleze në Prishtinë.

<< Kthehuni mbrapa




LAJMËRO
KORRUPSIONIN

TEL

0800 77777


Thirrjet janë pa pagesë,
të besueshme dhe konfidenciale.


DATABAZA PËR HULUMTIME
    PARLAMENTARE

Regjitrohu këtu


Ngjarjet e fundit

Ngjarje tjera: (16)...


KDI në media


Newsletter






Publikimet tjera: (0)...


WEB FAQE PËR PROGRAME DHE RRJETËZIME





Copyright 2005 - 2017 © Kosova Democratic Institute - All Rights Reserved