Thaçi në tryezën e KDI: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëmbim të territoreve dhe as “Republika Srpska” në Kosovë

Konferenca për media 05.09.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti sot tryezën “Çfarë do të thotë korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?”, në një debat të hapur të pjesëtarëve të shoqërisë civile e medias me Presidentin e Republikës së Kosovës  z. Hashim Thaçi.

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, në hapje të kësaj tryeze ka bërë një vlerësim të përgjithshëm të procesit të dialogut duke ngritur disa çështje aktuale rreth procesit përmes pyetjeve: A janë zgjedhjet opsioni i vetëm që të arrihet unifikimi i qëndrimeve për dialog?; Se cili do të jetë roli i presidentit në raport me ekipin e propozuar nga Qeveria?; Korrigjimi gjithmonë vjen si pasojë e një gabimi, a është shpallja e Kosovës republikë në kufijtë aktual një gabim?; A ka një analizë se çka mund të humbim apo fitojmë nga ky korrigjim?; Çka do të kemi në tryezë të diskutimit në Bruksel me 7 shtator?; Ideja e korrigjimit a është zgjedhje e jona apo çështje e sponsorizuar nga faktor ndërkombëtar?

Ndërkaq presidenti Thaçi ka theksuar se tani është koha për marrëveshjen e madhe, historike, përfundimtare, në mes dy shteteve. “Vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare është përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje në mes dy shteteve tona si asnjëherë më parë në këto vitet e fundit”, ka thënë ai duke shtuar se është e rëndësishme që të shfrytëzohet ky rast dhe të arrihet kjo marrëveshje.

Po ashtu ka dhënë pikëpamjet e tij për fazën finale të dialogut duke thënë se Kosova synon një marrëveshje të përhershme, përfundimtare, me Serbinë. “Nuk duam dhe nuk do të pranojmë një status quo të re. Së dyti, për ne normalizim i plotë i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është njohja formale, reciproke, në mes të shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë”, ka theksuar ai.
Kosova ka thënë se synon  që përmes kësaj marrëveshjeje, përmes njohjes formale në mes të Kosovës dhe Serbisë, t’i hapet mundësia që të bëhet shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara.
Së katërti, ka potencuar se njohja reciproke në mes të dy shteteve, do të mund të përcillet edhe me një proces të dakorduar në mes të dy palëve për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Çfarë do të thotë kjo? E para, nuk do të ketë ndarje të Kosovës.  Nuk do të ketë shkëputje të pjesës veriore të Kosovës. E kam thënë edhe më parë dhe po e them përsëri. Nuk do të bisedohet kurrë, në asnjë rrethanë, për liqenin e Ujmanit apo për qytetin e tërë të Mitrovicës”, shtoi Thaçi duke theksuar po ashtu se nuk “do të ketë republika Srpska në Kosovës”.
Korrigjimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë sipas presidentit Thaçi, do të shënonte fundin e konfliktit të gjatë mbi një shekull në mes të Kosovës dhe Serbisë, e jo fillimin e një konflikti të ri.

Një marrëveshje e tillë ka thënë se  do të jetë kontribut për paqen dhe stabilitetin e kësaj pjese të Ballkanit dhe se nuk do të ketë pasoja në karakterin shumë-etnik të shoqërisë kosovare.  Po ashtu shtoi se do të ruhet katalogu i të drejtave të pakicave dhe trashëgimia kulturore dhe fetare serbe në Kosovë.

Gjithashtu ka thënë se do të respektohet kërkesa legjitime e udhëheqësve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën. Sipas tij, si tërësi Presheva duhet të bashkohet gjatë demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo temë ka thënë se është institucionalizuar  dhe është e drejtë që të respektohet vullneti i qytetarëve të kësaj treve.

Duke adresuar pyetjen rreth rolit të ekipit qeveritar në këtë dialog, Thaçi ka thënë se e mirëpret këtë vendim dhe se do të ketë koordinim me një platformë dhe një qëllim. Ai potencoi se roli i tij do të jetë kushtetues dhe ligjor.

Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.