KDI:TË GJITHA PALËT TË RESPEKTOJNË AKTGJYKIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE DHE TË GARANTOJNË TRANZICION DEMOKRATIK TË PUSHTETIT

Reagime 29.05.2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka përcjellë në vazhdimësi të gjitha zhvillimet lidhur me çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë së re, që prej inicimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë ‘Kurti’, e deri tek aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, që i jep të drejtë mandatarit të propozuar nga subjekti i dytë për formim të qeverisë.

KDI konsideron që vendimi i djeshëm i Gjykatës lidhur me dekretin e Presidentit ka sqaruar disa prej dispozitave dhe parimeve më të ndjeshme që ndërlidhen me formimin e qeverisë, duke evituar situata të bllokimit edhe në të ardhmen.

KDI ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve të vendit që të respektojnë në plotni aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si institucioni vetëm që ka përgjegjësinë për interpretimin e Kushtetutës, dhe i cili është obligativ për të gjitha institucionet në Kosovë.

Është në përgjegjësinë e të gjitha palëve të përmbahen nga gjuha dhe veprimet jodemokratike, duke siguruar tranzicion të qetë të pushtetit, i cili është qenësor për të ruajtur funksionimin e shtetit. KDI rikujton se vendi ndodhet para proceseve të rëndësishme politike dhe sfidave ekonomike, që kërkojnë konsensus dhe funksionalitet të plotë të institucioneve.

KDI përkrahë të drejtën e qytetarëve për të shprehur mospajtimet e tyre nëpërmjet protestës, për sa ato janë demokratike dhe nuk prodhojnë tensione të cilat do të mund të dëmtonin të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj.