Të drejtat e punëtorëve mbeten në letër

Tryeza 30.04.2019

Konkurse të manipuluara, procedura gjyqësore të pa përfunduara që lidhen me punën, punë 24 orëshe pa ndërprerë, mos pagesë të kontributeve penisonale nga punëdhënësi, mos pagesë të pagave deri në 8 muaj, privim nga pushimi vjetor dhe ai mjekësor, mospagesë për punën jashtë orarit të rregullt etj., janë disa nga shumë padrejtësi dhe shkelje me të cilat përballen punëtorët në Kosovë.

Këto u bënë të ditura sot, gjatë shpalosjes së raportit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) “Të drejtat në letër”, në prag të 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës. Ky raport që është një përmbledhje e rasteve reale të raportuara në KDI mbi shkeljet e të drejtave të punëtorëve u pasua nga një diskutim me përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile.

Arben Kelmendi nga KDI, theksoi se shumësia e pranimit të rasteve të reja që lidhen me të drejtat e punëtorëve kanë mobilizuar KDI-në edhe këtë vit, që në kuadër të programit të saj për Transparencë dhe Kundër Korrupsion të trajtoj problematikën e “të drejtave të punëtorëve”, përfshirë segmentet si pagat, pushimet,  procesin e rekrutimit në institucione publike, nepotizmin, korrupsionin, mashtrimin, evazionin fiskal etj. që bëhet në kurriz të punëtorëve dhe qytetarëve me të drejtë pune.

Ndërsa Florent Spahija nga KDI, teksa shpalosi raportin tregoi  se secili nga rastet e paraqitura në këtë raport shpërfaqë elemente të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve në terren, por mbi të gjitha tregon për mungesën e dorës së shtetit në rregullimin dhe zbatimin e ligjshmërisë dhe ndikimin e politikës në konkurset publike. KDI po ashtu ka vërejtur që qytetarët raportues nuk kanë njohuri të mjaftueshmese ku mund t’i paraqesin ankesat për shkeljet që u janë bërë si në vendin e punës, si sektorin privat ashtu edhe atë publik.

“Mungesa e zbatueshmërisë së ligjit të punës dhe mbrojtjes e sigurisë në punë si dhe mos respektimi i të drejtave të punëtorëve nga biznesi por edhe institucionet ka bërë që shkeljet të shpeshtohen madje në disa raste punëtorëve vendi i punës ju ka kushtuar edhe me jetë. Në vitin 2018 në Kosovë janë regjistruar 20 raste të vdekjeve në vendin e punës si pasojë e mungesës së kushteve dhe sigurisë në punë, por edhe të mbikëqyrjes joefikase të punëdhënësve nga inspektorati i punës”, shtoi ai.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, pohoi se është fakt që ka shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve në vend. Përderisa në sektorin privat theksoi se ka shkelje në secilën dispozitë të Ligjit të punës siç është mungesa e kontratës, vonesat në paga, problemet me pushime etj., në sektorin publik ka thënë se shkeljet më të mëdha bëhen në fazën e konkurseve.

Megjithatë ka theksuar se shqetësuese mbetet çështja e sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Siguria dhe shëndeti është shumë më i rëndësishëm se sa marrëdhënia e punës sepse pasojat i ka më të mëdha. Kemi raste të vdekjeve në vendin e punës andaj jemi mundu me u fokusu në këtë pjesë më tepër si inspektorat”, ka shtuar ai.

Gjithashtu ka bërë të ditur se është dyfishuar numri i ankesave që ka pranuar ky institucion dhe vetëm gjatë vitit që shkoi ka thënë të kenë pranuar mbi 1700 ankesa, shifra këto të cilat ua ka atribuuar ngritjes sëvetëdijes së qytetarëve si dhe ngritjes sëautoritetit dhe kredibilitetit të institucionit që ai drejton.

Kurse sa i përket rekomandimeve kryesorë që KDI ka dhënë në kuadër të raportit ato lidhen me nevojën për fuqizimin e inspektoratit të punës përmes rritjes së vazhdueshme të numrit të inspektorëve që do të ndihmonte në parandalimin e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, fataliteteve në vendin e punës e para së gjithash në ndëshkimin e punëdhënësve të cilët shkelin apo neglizhojnë të drejtat e parapara me Ligjin e Punës.

Po ashtu krijimi i sindikatave të punëtorëve në sektorin privat do të krijonte mundësi për dialog të strukturuar midis bizneseve, sindikatave të punëtorëve dhe shtetit në dobi të garantimit dhe avancimit të të drejtave të punëtorëve.

Raportin e plotë mund ta shkarkoni këtu.