Rreth 150 studentë pjesë e punëtorive ‘’Keqpërdorimet që (s)i shohim‘’

Punëtori 17.05.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot punëtorinë e gjashtë ‘’Keqpërdorimet që (s)i shohim‘’ me studentët e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, duke përmbyllur kështu ciklin e këtyre punëtorive në të cilat u përfshinë rreth 150 studentë nga gjashtë universitete publike në vend.

Gjatë kësaj punëtorie, studentët debatuan mbi rëndësinë e kërkimit të llogaridhënies për shfrytëzimin e parasë publike. Atyre iu ofruan instruksione se si të bëhet identifikimi i flamujve të kuq në kontratat publike. Njëkohësisht morën shpjegime edhe për mënyrat se si duhet të raportohen shkeljet që mund të rrjedhin si pasojë e menaxhimit të dobët të kontratave në prokurim publik.

Këto punëtori u organizuan në kuadër të projektit “Qytetarët për prokurim efiçient dhe menaxhim të ndërgjegjshëm të parasë publike”, që mbështetet nga KFOS.