RAUNDI I DYTË I DISKUTIMEVE PUBLIKE ME DEPUTETË U PËRMBYLLË NË KLINË

Takime 14.02.2020

KDI së bashku me 11 organizata partnere kanë përmbyllur sot ciklin e dytë të diskutimeve publike mes qytetarëve dhe deputetëve që u zhvilluan në 11 komuna të Kosovës. Takimi i fundit, i njëmbëdhjeti, u mbajt sot në Klinë, pjesë e të cilit ishin deputetët: Shkëmb Manaj (LDK) dhe Ilir Ferati (LDK).
Një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve të kësaj komune ishte çështja e ndërtimit të një fabrike të çimentos në lokalitetin arkeologjik të fshatit Dresnik të kësaj komune, që nga banorët po cilësohet si degradim mjedisor për çka edhe po kundërshtojnë ndërtimin e saj.
Banorët e kësaj komune poashtu adresuan edhe një sërë çështjesh të tjera si mungesa e ujit të pijshëm në tërë komunën e Klinës dhe nevojën për hartimin e një plani konkret nga ministria e linjës për trajtimin e ujërave në rajonin e Dukagjinit, rritja e buxhetit komunal për investime kapitale, zhvillimi i bujqësisë dhe nevoja për krijimin e një pike grumbulluese për produktet bujqësore në këtë rajon, mungesa e kontrollimit të cilësisë së ushqimit nga ana e inspektorëve si rezultat i numrit të vogël të inspektorëve si dhe për sfidat e tjera me të cilat qytetarët ballafaqohen në përditshmëri.
KDI, të gjitha rekomandimet e dala nga përballjet qytetarë-deputetë, do t’i paraqes në modulin e veçantë “Iniciativat Qytetare”, i cili është pjesë e platformës www.votaime.org, ku do të matet progresi i adresimit të këtyre çështjeve nga deputetët në Kuvendin e Kosovës.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Rritja e pjesëmarrjes, transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë” i financuar nga Fondi për Demokraci i Kombeve të Bashkuara (#UNDEF).