Prokuroria e shtetit do të merret me mashtrimet në ish ndërmarrjen “Ramiz Sadiku”

Reagime 11.12.2018

Protesta e tretë e grupit të ish-punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku”, që u zhvillua sot bëri që Prokuroria e Shtetit, të jap zotimin se do të mbledhin një grup të prokurorëve dhe zyrtarëve për të parë mundësitë e hetimit të çështjes që lidhet me mashtrimin me listat e 20% tek kjo ndërmarrjeje.

Protestuesit kërkojnë hetimin sa më të shpejtë të rastit të tyre, mesazh ky që përveç në protestë u përcoll edhe tek prokurorja Sevdije Morina, e cila i priti në takim përfaqësuesit e këshillit organizativ të protestës. 480 ish-punëtorët kërkuan nga ky institucion që të hetoj dhe nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke iu mohuar atyre marrjen e 20% të vlerës nga asetet e shitura, me rastin e privatizimit nga Agjensionit Kosovar të Privatizimit (ish AKM).

Ky mohim ka ndodhur pas keqpërdorimit të vulave zyrtare duke i “vërtetuar punën” personave të cilët nuk kanë kontribuar dhe duke i larguar nga lista hiç më pak se 480 punëtorë të vërtetë! Për më tepër, ka pasur raste kur sindikata ka kërkuar edhe të holla për të vërtetuar punën dhe kontributin e tyre për këtë ndërmarrje.

KDI ka më shumë se dy vite që përmes Programit për ndihmë juridike për qytetarë, u ofron ndihmë punëtorëve të kësaj ndërmarrje, nëpërmjet përgatitjes së shkresave, kallëzimeve penale, ankesave në gjykatë e kërkesave të ndryshme, dhe së fundmi edhe me përgatitje logjistike të protestave.