Planifikimi i prokurimit të bëhet publik

Reagime 19.04.2018

Ndryshimet e fundit në Rregullat dhe udhëzuesit e ri për Prokurim Publik që kanë hyrë në fuqi më 16 prill 2018, theksojnë që planet vjetore të prokurimit të institucioneve duhet të jenë publike.

Deri më tani këto plane nuk kanë qenë të qasshme për publikun.

KDI kërkon nga të gjitha Autoritetet Kontraktuese që pa humbur kohë të publikojnë në faqet e tyre zyrtare planifikimet vjetore të prokurimit për vitin 2018 e tutje.

Bërja publike e këtyre planeve do të kontribuojë në:

• Rritjen e transparencës në shpenzimet publike
• Rritjen e konkurrencës së shëndoshë dhe dhënien e mundësisë së bizneseve për të planifikuar dhe ofertuar më mirë
• Rritjen e llogaridhënies duke mundësuar analiza krahasimore kundrejt nevojës dhe realizimit apo devijimin nga këto plane
• Uljen e korrupsionit duke zvogëluar mundësitë e dhënies së informatave shtesë dhe përshtatjen e çmimeve nga institucionet publike me operator të caktuar ekonomik.