Përmbyllet cikli i trajnimeve për monitorim të Kuvendit nga OJQ-të partnere

Trajnime 12.11.2018

Të shtunën u përmbyll cikli i trajnimeve për monitorimin e Kuvendit të Kosovës përmes platformës “Vota Ime”, të cilat u organizuan nga organizatat partnere të KDI-së.

Trajnimi i fundit u mbajt në Kaçanik, nga Forumi i Organizatave Joqeveritare të Kaçanikut. Përveç diskutimeve të shumta për Kuvendin e platformën “Vota Ime”, kaçanikasit shprehën interesim të lartë për të parashtruar pyetje për deputetët e zonës përmes modulit “Pyet Deputetin”.

Trajnimet u zhvilluan në kuadër të projektit për monitorimin e Kuvendit, financuar nga #UNDEF, përmes të cilit 11 OJQ nga gjithë vendi kanë organizuar trajnime në komunat përkatëse me studentë e anëtarë të shoqërisë civile lidhur me monitorimin e punës së deputetëve të zonës si dhe përdorimin e platformës ”Vota Ime”, për të kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga të zgjedhurit e tyre.

Duke filluar nga nëntori, KDI në bashkëpunim me organizatat partnere në projekt do të vazhdojë aktivitetet e përbashkëta në terren, kësaj radhe duke organizuar dëgjime publike me deputetët e zonës në 11 komuna të Kosovës.