Pas takimeve të KDI-së, Komuna e Dragashit ndryshon planifikimet buxhetore

Njoftime 09.10.2018

Pas takimeve që KDI ka organizuar me banorët e dy fshatrave të #Dragashit dhe autoritetet komunale, këto të fundit kanë reflektuar duke i përfshirë  kërkesat e qytetarëve në planet konkrete të kësaj komune për vitin që vjen.

Prioritetet e banorëve të Breznes dhe Bellobradit që i bënë të ditura para zyrtarëve komunal në dy takime të zhvilluara para dy javësh kanë bërë që të ndryshohen planet e kësaj komune për këto dy lokalitete, dhe të adaptohen bazuar në nevojat e banorëve. Kërkesat e banorëve tanimë janë futur në planin buxhetor për 2019-ën dhe kanë të bëjnë kryesisht me investime infrastrukturore.

Komuna e Dragashit në draft buxhetin komunal për vitin 2019 për fshatin Bellobrad kishte paraparë investime në shumën prej 50 mijë euro në renovimin e Shtëpisë së Kulturës si dhe punimin e kanaleve të hapura së bashku me grilat si dhe kanalizimi me infrastrukturë përcjellëse. Këto prioritete të përcaktuara nga ana e zyrtarëve komunal, nuk korrespondonin me prioritetet e banorëve të këtij lokaliteti, të cilët kanë kërkuar që këto mjete buxhetore të planifikuara për vitin 2019 të orientohen në ndërtimin e amfiteatrit me objektin përcjellës të fshatit.

Sa i përket banorëve të fshatit Brezne, ata ishte kundër planifikimeve nga ana e zyrtarëve për këtë lokalitet që kishin të bënin me  kubëzimin e rrugëve dhe infrastrukturën tjetër përcjellëse në shumën prej 75 mijë eurove pasi që nuk e shihnin si prioritet. Banorët kanë kërkuar shpronësimin e pronave/parcelave me qëllim të jetësimit të projektit për shtimin e hapësirës për varrezat e fshatit si dhe në shpronësimin e pronave/parcelave për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në këtë fshat. Si rezultat i kërkesave të banorëve, 30 mijë euro janë planifikuar në Projekt buxhetin e komunës për vitin 2019 për shpronësimin e tokave/parcelave me qëllim të realizimit të dy projekteve në këtë lokalitet.