Mungesë e transparencës në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale në rajonin e Prizrenit

Konferenca për media 05.07.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë një konference për media sot, ka publikuar analizën hulumtuese “Politikat sociale në nivel lokal” ku përfshihen komuna e Prizrenit, Rahovecit dhe Dragashit. Hulumtimi nxjerrë në pah, ngecjen në hartimin e planeve vjetore si dhe mirëmbajtjen e shërbimeve sociale dhe familjare në këto komuna. Fokusi i analizës është përqendruar në politikat e komunave në ndarjen e subvencioneve dhe në programet e banimit social.

Naim Cahani nga KDI, gjatë konferencës theksoi se edhe përkundër obligimeve ligjore të komunave në hartimin e Planeve vjetore në mirëmbajtjen e shërbimeve sociale dhe familjare, asnjë nga komunat që përfshihen në kuadër të këtij hulumtimi nuk kanë dokumente të tilla, Një gjë e tillë ka thënë se ka reflektuar në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies së komunave në përfshirjen e qytetarëve në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale. Tutje, ai potencoi mungesën e respektimit të procedurave dhe mungesën e kritereve të qarta për dhënien e subvencioneve në nivel lokal.

Kurse Elmedina Dorambari nga KDI, ka folur për politikat e financimit të Organizatave të Shoqërisë Civile që ofrojnë shërbime të caktuara  sociale. “Gjatë hulumtimit, është vërejtur mungesë kriteresh dhe uniformiteti, duke mos specifikuar në detaje se cilat nga kriteret duhet të përmbushen me qëllim të qasjes në subvencione nga ana e Organizatave të Shoqërisë Civile. Mungesa e politika të brendshme, mund të reflektojë në mungesë të transparencës dhe përjashtimin e shumë organizatave që ofrojnë shërbime sociale në territorin e komunave përkatëse”, ka thënë Dorambari.

Ky hulumtim, e nxjerr komunën e Prizrenit si komunë të vetme e cila në kuadër të politikave të saja sociale ka investuar në financimin e programeve të veçanta të banimit. Por Komuna e Prizrenit, duhet të krijojë një mekanizëm shumë-palësh në monitorimin e zbatimit të kontratave me përfituesit aktualë.

Dorambari, po ashtu prezantoi edhe rekomandimet e dala nga ky hulumtim për këto komuna si në vijim:

  • Ndryshimi i rregulloreve komunale për ndarjen e subvencioneve (Komuna e Prizrenit dhe e Dragashit);
  • Implementimi dhe respektimi i rregullores komunale për ndarjen e subvencioneve nga komuna e Rahovecit;
  • Përfshirja e komunitetit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile në hartimin e planit vjetor të shërbimeve sociale;
  • Rritja e transparencës dhe publikimi i planit vjetor në ueb faqen zyrtare të Komunës;
  • Hartimi i planeve strategjike në nivel lokal për adresimin e nevojave sociale dhe familjare në periudha afatgjata;
  • Rritja e buxhetit komunal për investime kapitale për politikat sociale të banimit në nivel lokal (komuna e Dragashit dhe Rahovecit);
  • Vendosja e standardeve dhe respektimi i kritereve në politikat e programeve të banimit social nga Komuna e Prizrenit;
  • Krijimi i një Komisioni shumë palësh në monitorimin e zbatimit të kontratave me shfrytëzuesit aktualë të banesave sociale (Komuna e Prizrenit);
  • Rritja e mbikëqyrjes dhe bashkëpunimit ndërmjet MPMS dhe Komunave në hartimin e planeve strategjike për banimet sociale dhe ndarjen e banimeve sociale nga komuna;
  • Hartimin e manualeve si politika të brendshme në rritjen e standardeve dhe përcaktimin në detaje të kritereve për qasje në subvencione.

Hulumtimin mund ta shkarkoni këtu.