“Miliona për Cent” shpërfaq defektet në prokurimin publik 

Tryeza 27.12.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot tryezë diskutimi lidhur me praktikat aktuale të prokurimit publik si dhe format se si mund të përmirësohen proceset e prokurimit të centralizuar.

Me këtë rast është bërë edhe publikimi i raportit “Miliona për Cent”, i cili shpërfaq gjetjet e KDI nga monitorimi i procesit të prokurimit në Agjencinë Qendrore të Prokurimit (AQP). Konkretisht është monitoruar procesi i prokurimit për kontratën: Furnizim me Karburante për nivelin lokal të ndërmarrë nga AQP.

Blerim Gjoni nga KDI, duke prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti ka theksuar se përmes tij, janë trajtuar disa nga problemet aktuale të këtij sektori dhe janë ofruar rekomandime konkrete për parandalimin e humbjes së parasë publike si dhe rritjen e llogaridhënies në prokurim publik.

Gjoni ka theksuar se bazuar ne monitorimin e kontratës në fjalë del se veprimet institucionale nuk kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me praktikat e mira të prokurimit, siç janë: mangësitë në planifikim të aktivitetit të prokurimit, kritere diskriminuese në tenderim, vonesat e shumta deri të nënshkrimi i kontratave si pasojë e ankesave të shumta, dhënia e kontratave me çmime jonormalisht të ulëta dhe monitorimi joefektiv i zbatimit të kontratave.

“Njoftimi për kontratë për këtë tender ishte shpallur në muajin dhjetor 2016 për t`u zgjatur procesi i prokurimit deri në muajin korrik 2018. Procesi i tejzgjatur ishte pasojë e ankesave të shumta nga tenderuesit kundrejt vendimeve të AQP-së, përmes së cilave këta të fundit kishin shfaqur pakënaqësitë në lidhje me vlerësimin e tenderëve sipas disa kritereve të pabazuara ligjore të vendosura në dosjen e tenderit, ku disa nga këto pretendime ankimore më vonë ishin cilësuar nga OSHP-ja si të bazuara”, ka shpjeguar ai.

Ankesat kishin të bënin edhe me dhënien e kontratave me çmime jonormalisht të ulëta. Lidhur me këtë Gjoni theksoi se dhënia e kontratave me çmime jonormalisht të ulëta është e rrezikshme për autoritetin kontraktues dhe për interesin publik në përgjithësi. “Tenderët jonormalisht të ulët mund të dështojnë, posaqërisht në rastet kur një operator ekonomik ka keqkuptuar kompleksitetin e realizimit të kontratës apo nuk ka marrë parasysh të gjitha kostot dhe rreziqet e prokurimit”, vazhdoi tutje ai.

AQP-ja, përpos përzgjedhjes së operatorëve ekonomik kishte edhe rolin e monitoruesit të implementimit të kontratës, dhe sipas Gjonit edhe në këtë pikë ka pasur ngecje.
Me qëllim të eliminimit të problemeve nga dhënia e kontratave me çmime jo-normalisht të ulëta, KDI-ja rekomandon që AQP-ja të trajtojë kujdesshëm tenderët jonormalisht të ulët.

Po ashtu KDI-ja rekomandon që më qëllim ngritjes së cilësisë së vendimeve, OSHP-ja të trajtojë kujdesshëm konstatimet e Ekspertit Shqyrtues, provat në dispozicion dhe argumentet e sjella nga palët pjesëmarrëse në procedurë.

Gjithashtu rekomandohet që edhe KRPP-ja si institucion mbikëqyrës i prokurimit në Kosovë, të jetë më proaktiv në vëzhgimin e aktiviteteve të prokurimit ku trajtohen tenderët jonormalisht të ulët, si një dukuri mjaft e përhapur, sidomos tek kontratat e furnizimit me karburante dhe të ofrojë një opinion të përgjithshëm mbi këtë çështje që do eliminonte mundësitë e përsëritjes së problemeve të ngjashme në të ardhmen.

Për të parë gjetjet dhe rekomandimet e plota, shkarkoni raportin “Miliona për Cent”  këtu.